Një tubacion uji mbi një shekull i vjetër u ça gjatë natës në Los Angeles, duke përmbytur një prej zonave më të frekuentuara të qytetit dhe duke shkaktuar bllokime të rënda në qarkullim.
Incidenti u regjistrua në West Hollywood, ku nën një rrugë të ngarkuar shpërtheu një tubacion kryesor çeliku, i ndërtuar në vitin 1916. Sasi të mëdha uji dolën në sipërfaqe nga linja, e cila bën pjesë në sistemin kryesor që furnizon rrjetin e Los Angeles me ujë nga digat dhe rezervuarët.
Të lidhura
None found
Përmbytjet goditën Sunset Strip, një nga arteriet kryesore të qytetit ku ndodhen restorante, bare dhe biznese të shumta. Uji dëmtoi disa ambiente, ndërsa disa rrugë u mbyllën përkohësisht, duke rënduar ndjeshëm trafikun.
Mes bizneseve të prekura është edhe restoranti i njohur Dialog Cafe, i cili njoftoi mbylljen e përkohshme për shkak të “dëmeve të konsiderueshme” të shkaktuara nga përmbytja. Administrata e lokalit bëri të ditur se ende nuk mund të përcaktojë kohën e rihapjes.
Ndërkohë, autoritetet vendore kanë nisur ndërhyrjet për sigurimin e zonës, evidentimin e dëmeve dhe riparimin e tubacionit. Deri tani, shkaku i çarjes nuk është përcaktuar.
Zyrtarët vlerësojnë se presioni më i lartë i ujit gjatë natës mund të ketë qenë një prej faktorëve ndikues. Sipas tyre, kur banorët flenë dhe konsumi i ujit bie ndjeshëm, presioni në tubacione mund të rritet, duke favorizuar çarjet. “Kur njerëzit flenë dhe përdorimi i ujit është më i ulët, presioni në tubacione mund të rritet dhe shpeshherë atëherë ndodhin këto çarje”, shpjeguan autoritetet.
Kompania e ujësjellësit kishte parashikuar që segmenti kryesor Sunset të zëvendësohej në vitin 2031. Të dhënat e Departamentit të Ujit dhe Energjisë në Los Angeles tregojnë se, në vitin 2019, rreth 29% e tubacioneve të qytetit kishin kaluar moshën 80-vjeçare dhe po afroheshin me fundin e jetëgjatësisë tipike prej afërsisht 100 vitesh.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve dhe drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, teksa ekipet vazhdojnë punën për ndreqjen e dëmit dhe normalizimin e situatës.
