Një tentativë për kontrabandim të rreth 2000 flakonëve me barin mjekësor “Gadonans” u zbulua nga njësitë mobile të Departamentit të Operacioneve. Shtetasi i Kosovës, i cili drejtonte kamionin, kishte fshehur ampulat në kabinë me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Të lidhura
None found
Njoftimi zyrtar i Doganës së Maqedonisë së Veriut bën të ditur se drejtuesi i mjetit, i punësuar pranë një firme transporti kosovare, po sillte profile alumini nga Turqia në Kosovë. Ai u përzgjodh për inspektim nga skuadra mobile gjatë kalimit në pikën e Deve Bairit. Kur u pyet nëse kishte sende shtesë për t’i raportuar, përtej ngarkesës së dokumentuar, ai u përgjigj negativisht.
Duke dyshuar për parregullsi, autoritetet kryen një kontroll të thelluar, i cili nxori në dritë pikërisht 2000 ampula me solucionin “Gadovist 7.5 ml”. Ato ishin shpërndarë në disa vende të fshehta brenda kabinës: në krevatin e sipërm, në të çarat e automjetit, mbi sediljen e shoferit dhe mes sendeve personale.
Drejtoria Doganore konfirmoi se të gjitha preparatet janë konfiskuar ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar procedim penal për veprën “kontrabandë”, e cila parashikohet dhe dënohet sipas Kodit Penal.
Produkti “Gadovist 7.5 ml” administrohet në mënyrë intravenoze gjatë skanerave të rezonancës magnetike dhe kërkon një autorizim special importi, si dhe kushte rigoroze të mirëmbajtjes dhe transportit.
Gjithashtu, Dogana e RMV-së raportoi se në harkun e këtij viti janë penguar gjithsej 13 raste të trafikimit të barnave dhe produkteve medicinale, duke rezultuar në sekuestrimin e rreth 29 mijë njësive të ndryshme farmaceutike.
