Deklarimi i ministres serbe lidhur me spastrimin etnik të Kosovës ka riaktualizuar retorikën e hershme të Beogradit. Sipas ekspertëve, kjo dëshmon se politika serbe nuk ka hequr dorë nga synimet hegjemoniste ndaj Kosovës.
Të lidhura
None found
Mbi 30 vjet pas përpjekjeve të Serbisë për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, mendësia e regjimit të asaj periudhe, sipas vlerësimeve, vijon të jetë e pranishme.
Tri dekada më vonë, ideologjia dhe narrativa e lidhur me Sllobodan Millosheviqin vazhdojnë të artikulohen në publik.
Në një intervistë për një televizion serb, Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, tha se “po të ishte Sllobodan Millosheviqi, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën më 1998”. Me këtë deklaratë, ajo artikuloi hapur atë që Millosheviqi tentoi ta realizonte në vitin 1999.
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, reagoi duke thënë se thirrjet për spastrim etnik tregojnë se Serbia ende nuk është shkëputur nga ideologjia e Millosheviqit. Ai theksoi se përgjigjja e Kosovës dhe e botës demokratike ndaj përpjekjeve të tilla tashmë dihet: Kosova mbeti e lirë, ndërsa Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe, sipas tij, të njëjtin fat do ta kishte edhe Paunoviq.
Profesorë dhe njohës të gjeopolitikës e konsiderojnë deklaratën e Paunoviqit si shprehje të mendimit dhe qëndrimit zyrtar të Serbisë.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, e cilësoi atë vazhdim të logjikës kriminale të politikës serbe, e cila, sipas tij, mbështetet ende në ambicie hegjemoniste jo vetëm ndaj Kosovës. Duke iu referuar projektit të botës serbe, ai tha se deklarata duhet të nxisë reagime të qarta dhe të ashpra dënuese nga BE-ja, SHBA-ja dhe të gjithë faktorët që në vitet 1998-1999 ia treguan vendin Millosheviqit.
Profesori i gjeopolitikës, Dorajet Imeri, vlerësoi se fakti që një ministre serbe, 25 vjet pas Millosheviqit dhe periudhës së gjenocidit e spastrimit etnik në Kosovë, shpreh një qëndrim të tillë, tregon se ai përfaqëson pozicionin zyrtar të Serbisë ndaj Kosovës. Sipas tij, Paunoviq është e zgjedhur në Qeverinë e Serbisë dhe përfaqëson shtetin serb, ndaj deklarata e saj është qëndrim i shtetit serb.
Ndërkohë që zyrtarë serbë vazhdojnë t’i shprehin publikisht pretendimet ndaj Kosovës, presidenti Aleksandër Vuçiq ka mbështetur patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Ky i fundit u dënua me katër muaj burgim me kusht nga një gjykatë në Slloveni, për akuzën e keqtrajtimit të një prifti në vendin e punës.
Imeri tha se politika serbe përdor struktura dhe grupe të ngjashme me ato të Radoçiqit dhe Veselinoviqit, ndërsa në anën tjetër përfshihet edhe patriarku. Sipas tij, kjo e shfaq qartë fytyrën e Serbisë dhe ambiciet e saj.
Fetoshi tha se pikërisht ky institucion ka bekuar kriminelë të njohur ndërkombëtarisht, Karagjiqin dhe Mlladiqin, për luftën në Bosnje, ndërsa sot vazhdon narrativën e sakralizimit të politikës hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës.
Në Prishtinë vlerësohet se artikulimi nga zyrtarët e lartë i ideve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, bashkë me mbështetjen që udhëheqja serbe u jep institucioneve fetare e politike, përbën vazhdimësi të një politike të vjetër hegjemoniste.
