Projekti për transportin e shpejtë me autobus (BRT) në Shkup ka hyrë në fazën e zbatimit pas përmbylljes së koordinimeve përfundimtare, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm për krijimin e një transporti publik më efikas, më të qëndrueshëm dhe me standard më të lartë cilësie në kryeqytet.
Të lidhura
None found
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski, zhvilloi sot një takim pune me ekipin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Maqedoni, të drejtuar nga Fatih Turkmenoglu, ku në fokus ishte harmonizimi i hapave të ardhshëm për realizimin dhe optimizimin e këtij projekti.
Sipas njoftimit të Qytetit të Shkupit, gjatë takimit u rikonfirmua vullneti i përbashkët që projekti të zbatohet me sukses, duke qenë se ai konsiderohet një prej investimeve më të rëndësishme për modernizimin e transportit publik në Shkup.
Pas marrjes së mandatit, nëpërmjet bashkërendimit intensiv me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Financave, BERZH-in dhe institucionet e tjera përgjegjëse, u tejkaluan pengesat afatgjata që kishin bllokuar projektin dhe u hap rruga për nisjen e zbatimit të tij. BRT pritet të ofrojë transport publik më të shpejtë, më të sigurt, më të besueshëm dhe më miqësor ndaj mjedisit, si edhe të ndikojë në uljen e trafikut të dendur, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe përditshmëri më të mirë për qytetarët.
Nga Qyteti i Shkupit theksuan gjithashtu se realizimi i projektit nuk do të bëhet në dëm të gjelbërimit ekzistues përgjatë bulevardit. Sipas tyre, përkundrazi, janë paraparë sipërfaqe të reja të gjelbra dhe ndërhyrje shtesë hortikulturore, të cilat do të krijojnë një hapësirë urbane më bashkëkohore, më të gjelbër dhe më humane.
BRT-ja është pjesë e një plani më të gjerë strategjik për transformimin e transportit publik në Shkup. Krahas këtij projekti, po zhvillohet edhe iniciativa për vendosjen e një treni urban në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, si dhe blerja e 100 autobusëve të rinj përmes Qeverisë dhe optimizimi i rrjetit ekzistues të autobusëve, me synimin për të ndërtuar një sistem të integruar, funksional dhe modern të lëvizshmërisë urbane.
