Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendi hyn tashmë në një etapë kyçe të jetës demokratike, atë të ngritjes së institucioneve të reja.
Të lidhura
None found
Edhe pse me këtë hap mbyllet formalisht procesi zgjedhor, sfida kryesore që mbetet përpara është krijimi i shumicës parlamentare dhe konstituimi i institucioneve sipas afateve kushtetuese dhe ligjore.
Për atë që pritet të ndodhë në ditët në vijim, për “Bota sot” ka folur publicisti Lis Bukuroca.

Sipas tij, pasuese e detyrës së presidentes, Haxhiu, ka obligim që ta thërrasë seancën konstituive brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndonëse ai vlerëson se kjo mund të realizohej edhe brenda javës, nëse do të ekzistonte vullnet politik.
“Certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja mundëson konstituimin e Kuvendit, ku u.d. presidentja duhet ta thërrasë seancën konstituive brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Afati kushtetues për mbajtjen e seancës konstituive është 30 ditë nga dita e certifikimit të rezultateve. Nëse ka vullnet politik, mund të bëhet edhe brenda javës, por nuk do të ketë, mendoj unë.”
Bukuroca theksoi më tej se, sapo të konstituohet Kuvendi, faza pasuese është përzgjedhja e presidentit të ri.
“Hapi tjetër është zgjedhja e presidentit. Kushtetuta parasheh se presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. Paralelisht, kryeministri i mandatuar (nga radhët e LVV-së, si parti fituese) duhet të sigurojë shumicën për Qeverinë.”
Ai komentoi edhe kontaktet dhe bisedimet mes partive politike, si dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
Sipas publicistit, në rast se nuk arrihet konsensus politik, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja.
“LVV-ja ka fituar 53 nga 120 ulëse, pra jo shumicë vetëqeverisëse, ndaj i duhen aleatë. Tani partitë politike kanë filluar bisedimet zyrtare për një marrëveshje të mundshme lidhur me presidentin.
Nëse marrëveshja nuk arrihet brenda afatit 60-ditor për presidentin, pasojat janë të parashikuara qartë: nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, që do të ishin të katërtat parlamentare që nga fillimi i vitit 2025, një skenar që mund të shmanget nëse partitë veprojnë me kohë dhe përgjegjësi ndaj shtetit”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
