Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të premte për atë që, sipas tij, ishte një sulm i organizuar ndaj faqeve të bizneseve shqiptare në Google, duke thënë se institucionet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e kompanisë për të rikthyer vlerësimet e sipërmarrjeve të prekura.
Të lidhura
None found
Me një postim në rrjetet sociale, Rama e përshkroi ngjarjen si “turp alla shqiptarçe” dhe hodhi akuza ndaj organizatorëve të protestës së flamingove, të cilët, sipas tij, kanë ngritur një “sulm të padëgjuar kriminal” përmes mijëra llogarive të hapura posaçërisht, me synimin për të ulur vlerësimet e hoteleve, bujtinave dhe restoranteve.
Sipas kryeministrit, Policia e Shtetit po vazhdon hetimet për këtë skemë që ai e quan kriminale, ndërsa falë bashkëpunimit me Google, bizneseve po u kthehen vlerësimet e humbura.
Statusi i plotë i Kryeministrit Edi Rama
“Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve. 
Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm. 
Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh.” 
