Illan Meslier është zyrtarisht lojtar i Arsenalit, me klubin londinez që ka konfirmuar afrimin e portierit francez si futbollist i lirë.
Të lidhura
None found
26-vjeçari i bashkohet “Topçinjve” pasi kaloi shtatë vite te Leeds United, periudhë në të cilën zhvilloi 215 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe e mbajti portën të paprekur në 70 prej tyre.
Gjatë kohës së tij në “Elland Road”, Meslier numëroi 107 paraqitje në Ligën Premier, duke ndërtuar një eksperiencë të rëndësishme në nivelin më të lartë të futbollit anglez.
Karrierën e tij portieri francez e filloi te Lorient, ndërsa në vitin 2019 u transferua te Leeds në formë huazimi.
Pas ngjitjes së klubit në Ligën Premier, kalimi i tij u kthye në një marrëveshje të përhershme.
Raportimet bëjnë të ditur se, në fazën fillestare, Meslier pritet të jetë portieri i tretë në ekipin e Mikel Artetas, edhe pse kjo mund të ndryshojë nëse Kepa Arrizabalaga vendos të largohet nga “Emirates Stadium”.
Arsenali ka bërë të ditur gjithashtu se Meslier do të veshë fanellën me numrin 30 dhe se do t’u bashkohet shokëve të skuadrës në përgatitjet parasezonale te qendra stërvitore Sobha Realty Training Centre.
