Gjatë një vizite në Luginën e Preshevës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u takua me përfaqësues politikë dhe institucionalë të shqiptarëve që jetojnë në këtë trevë.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në Facebook, Begaj njoftoi se në fokus të bisedimeve ishin shqetësimet e shqiptarëve të zonës, nevoja për forcimin e bashkëpunimit politik dhe projektet që synojnë të mbështesin të rinjtë.
“Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë”, ka shkruar Begaj.
Ai bëri me dije se është pritur nga drejtues vendorë, me të cilët ka trajtuar çështje që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin shqiptar.
“Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme”, ka theksuar presidenti shqiptar.
Begaj u bëri thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë në këtë zonë që të jenë të bashkuar sa herë që në qendër është mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve.
“I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar ai.
Kreu i shtetit shqiptar deklaroi gjithashtu se Shqipëria zyrtare do të vijojë të mbështesë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”, ka deklaruar Begaj.
Ai shtoi se do ta vazhdojë angazhimin e tij për këtë çështje edhe në arenën ndërkombëtare.
“I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare”, ka përfunduar Begaj.
