Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, paralajmëroi se administrata amerikane mund të kryejë sulme të tjera kundër Iranit, duke lënë të kuptohet se në shënjestër mund të vihen edhe elemente të rëndësishme të infrastrukturës civile të vendit.
Të lidhura
None found
Këto komente ai i bëri gjatë një takimi dypalësh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në kuadër të samitit të NATO-s, ku tha se një operacion i tillë mund të kishte përmasa të konsiderueshme.
“Mund të jetë një sulm i madh dhe do të nxjerrë jashtë funksionit shumë gjëra,” deklaroi Trump.
Ai përmendi si objektiva të mundshëm centralet elektrike, duke thënë: “Do t’i shkatërrojmë. Nuk dua ta bëj këtë, por nëse do të jetë e nevojshme, do t’i godasim.”
Trump foli edhe për impiantet e desalinizimit, që konsiderohen thelbësore për furnizimin me ujë të pijshëm, duke nënvizuar se ato do të goditeshin vetëm nëse rrethanat do ta impononin një gjë të tillë.
Po ashtu, presidenti amerikan iu referua ishullit Kharg, që shërben si qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit. Sipas tij, ushtria amerikane ka ndërmarrë një sulm ndaj këtij ishulli një natë më parë.
“Ne sulmuam Kharg Island mbrëmë dhe dëmtuam një pjesë të tij. U thashë ushtarakëve të mos preknin naftën, sepse ndoshta një ditë mund ta marrim nën kontroll ishullin Kharg. U thashë të mos godisnin tubacionet, por gjithçka tjetër. Ata e bënë këtë dhe mund ta godasin sërish edhe sonte,” u shpreh Trump.
Reagimi nga Teherani nuk vonoi, ndërsa zyrtarë iranianë sinjalizuan se çdo goditje e re do të marrë një kundërpërgjigje të ashpër.
Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, shkroi në rrjetin social X: “Ejani, po ju presim dhe ju premtojmë se asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehet i gjallë.”
Edhe ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Velayati, kritikoi atë që e cilësoi si “përshkallëzimin e fundit”, duke theksuar se Irani “e ka paralajmëruar më parë se rajoni nuk është vend për lojëra politike” dhe se vendi “mbetet me gishtin në këmbëz, i gatshëm për t’iu përgjigjur çdo agresioni.”
Zhvillimet e fundit ndodhin në një atmosferë të tensionuar mes SHBA-së dhe Iranit, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar vazhdon të kërkojë vetëpërmbajtje dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
