Policia e Kosovës ka nisur hetimet pasi është dëmtuar Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.
Të lidhura
None found
Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se, pas marrjes së informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar dëmtime në objektin përcjellës të kompleksit.
“Njësitet policore, pas pranimit të informatës, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në objektin përcjellës – në kullë – kanë vërejtur disa dëmtime nëpër tavan dhe në korridorin e objektit. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka dënuar ashpër dëmtimin e memorialit dhe e ka cilësuar atë si goditje ndaj historisë dhe kujtesës kolektive të Kosovës.
“Sot u njoftuam për dëmtimin e Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’. Dëmtimi i komplekseve memoriale të dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës nuk është vetëm vandalizëm, por sulm ndaj kujtesës kolektive, ndaj historisë sonë dhe vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se këto memoriale përfaqësojnë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe se çdo sulm ndaj tyre mbetet i papranueshëm.
“Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.
Hoti ka shprehur po ashtu shqetësim për rritjen e rasteve të ngjashme, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë që t’i trajtojnë ato me seriozitetin më të madh.
“Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet e drejtësisë”, ka theksuar ministri në detyrë.
Në përfundim, ai ka bërë thirrje që autorët të identifikohen dhe të marrin dënimin e paraparë me ligj, duke nënvizuar se për akte të tilla nuk duhet të ketë as tolerim dhe as heshtje.
“Autorët duhet të identifikohen dhe të përballen me pasojat më të rënda që parasheh legjislacioni në fuqi. Nuk mund të ketë as tolerancë e as heshtje për akte të tilla. Respekti për dëshmorët dhe heronjtë nuk është çështje bindjeje politike. Është detyrim qytetar, moral dhe shtetëror. Kosova nuk do të lejojë që historia e saj të përdhoset”, ka përfunduar Hoti.
