Revolta qytetare ka hyrë sot në ditën e 39-të. Edhe këtë pasdite, qytetarët do të mblidhen sërish përballë Kryeministrisë, me synimin për të vazhduar protestën që prej më shumë se një muaji kërkon largimin e Edi Ramës dhe rrëzimin e modelit politik që, sipas tyre, e ka mbajtur peng vendin.
Fillimisht e nisur si kundërshti ndaj projektit në Zvërnec, kjo lëvizje është shndërruar në një protestë të gjerë kundër klasës politike, duke vënë në qendër kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një sistemi të ri politik.
Të lidhura
None found
Edhe sot pritet të rikthehen thirrjet që e kanë shoqëruar protestën gjatë gjithë këtyre javëve, mes tyre “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Atdheu është i yni”.
Organizatorët kanë këmbëngulur se tubimi do të vijojë në mënyrë paqësore.
Në protestën e djeshme, pjesëmarrësit ripërsëritën kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, ndryshimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, i shërbejnë interesave klienteliste.
Po ashtu, nga podiumi u ngritën akuza për përdorimin e fondeve publike për koncertin e Kanye West, ndërsa u shpall edhe një protestë kombëtare për 11 korrik, në ditën kur është parashikuar të zhvillohet koncerti në Tiranë.
Organizatorët kanë bërë të qartë se mobilizimi nuk do të ndërpritet, duke argumentuar se pjesëmarrja e qytetarëve pas 38 ditësh tregon se pakënaqësia mbetet e fortë dhe se protesta ka kaluar në një fazë të re rezistence.
Edhe këtë pasdite, bulevardi përballë Kryeministrisë pritet të mbushet sërish me qytetarë, të cilët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
