Nga 1 korriku, Kleksanat është përfshirë në listën pozitive, çka do të thotë se tashmë mund të merret me recetë në farmaci.
Të lidhura
None found
Megjithatë, sipas asaj që raporton “TV24”, disa qytetarë kanë thënë se në një pjesë të farmacive u është bërë e ditur se ilaçi ende nuk po jepet me recetë, me arsyetimin se po pritet njoftim nga Fondi.
Fondi Shëndetësor sqaron se ilaçi është futur në listën pozitive që nga 1 korriku dhe se farmacitë kanë detyrim ta sigurojnë dhe ta lëshojnë për të siguruarit që kanë nevojë për të.
“Që nga 1 korriku 2026, ilaçi enoksaparinë (Kleksane) është siguruar përmes Listës Pozitive të Barnave dhe mund të blihet dhe lëshohet në farmacitë e ISHP që kanë lidhur një marrëveshje me Fondin. Sipas dispozitave të marrëveshjes së lidhur me Fondin, farmacitë janë të detyruara të sigurojnë, gjegjësisht të blejnë dhe lëshojnë ilaçe për nevojat e personave të siguruar, për diagnoza të caktuara mjekësore dhe brenda kornizës së rregulloreve ligjore.
Në këtë mënyrë, personat e siguruar e marrin ilaçin në farmacitë që kanë një marrëveshje me Fondin, bazuar në recetën e lëshuar nga mjeku i zgjedhur, pa e blerë më parë atë dhe më pas pa paraqitur një kërkesë për rimbursim”, thonë nga FSSH.
Vendosja e Kleksanat në listën pozitive ishte paraparë të ndodhte vitin e kaluar, por procedura u shty për shkak të vështirësive teknike dhe administrative.
Zgjerimi i fundit i listës pozitive me barna të reja ishte bërë në vitin 2024. Në atë listë hynin medikamente për tensionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, depresionin dhe demencën.
Në maj të këtij viti, kryeministri paralajmëroi se lista e ilaçeve që mbulohen nga Fondi do të zgjerohej sërish, por deri tani ende nuk ka të dhëna konkrete se kur do të ndodhë përditësimi i radhës./Telegrafi/
