Guami dhe Ishujt Mariana Veriore po përballen me supertajfunin Bavi, i cili po sjell erëra deri në 290 kilometra në orë dhe shpërthime që arrijnë në 350 kilometra në orë. Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë hapur qendra evakuimi dhe kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme katastrofike.
Të lidhura
None found
Qendra e Përbashkët e Paralajmërimit të Tajfuneve (JTWC) e ka përcaktuar Bavin si supertajfun, kategori ku përfshihen stuhitë me erëra mbi 240 kilometra në orë dhe me fuqi shkatërruese të ngjashme me uraganet e kategorisë katër ose pesë.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të Shteteve të Bashkuara (NWS), kjo stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme pritet të shkaktojë dallgë që mund të arrijnë deri në 11 metra, ndërsa në Ishujt Mariana Veriore tashmë janë raportuar dëme të mëdha.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se banorët janë zhvendosur në strehimore emergjente, ndërsa po kryhen edhe përgatitjet e fundit për t’u përballur me stuhinë.
Ishulli Rota, që ndodhet rreth 50 kilometra në verilindje të Guamit, është në vijën e goditjes së drejtpërdrejtë të supertajfunit.
Zyrtarët lokalë u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive, duke theksuar se moti pritet të përkeqësohet me shpejtësi. Ata kanë bërë të ditur gjithashtu se në ishull janë regjistruar tashmë erëra të fuqishme, përmbytje dhe dëme të mëdha materiale.
Në Saipan janë regjistruar erëra me shpejtësi mbi 161 kilometra në orë, ndërsa shumë banorë ende nuk kanë energji elektrike që pas kalimit të supertajfunit Sinlak në muajin prill. Ai tajfun shkaktoi vdekjen e 17 personave dhe dëme ekonomike të vlerësuara në rreth 1.5 miliardë dollarë.
Në Guam, ku jetojnë rreth 170 mijë banorë, janë vënë në dispozicion pesë qendra evakuimi nga autoritetet. Njëra prej tyre u mbush shumë shpejt, duke bërë që personat e evakuuar të dërgoheshin në strehimore të tjera.
Banorët dhe turistët në zonat e prekura kanë ndërmarrë masa mbrojtëse. Disa biznese kanë vendosur dërrasa në dritare për të minimizuar dëmet, ndërsa për shkak të motit ekstrem janë anuluar edhe disa fluturime.
Meteorologët theksojnë se Bavi është supertajfuni i dytë që po kërcënon territoret amerikane në Paqësor brenda pak muajsh.
