The Sunday Times e Londrës raportoi këtë të diel se Nigel Farage, i konsideruar si ideatori dhe frymëzuesi i Brexit dhe njëkohësisht drejtues i partisë “Reforma”, ka përfituar financiarisht nga një shtetas britanik që është dënuar nga drejtësia amerikane për mashtrim në internet. Sipas kësaj gazete, këto përfitime nuk janë deklaruar nga Farage në kuadër të hyrjes së tij si deputet i ri në Parlamentin britanik.
Të lidhura
None found
Gazeta shkruan se George Cottrell, i dënuar në 2017 në Shtetet e Bashkuara për mashtrim dhe aleat i hershëm i Farage, e ka asistuar atë në çështje që lidhen me sigurinë dhe rrjetet sociale. Po ashtu, ai i ka vënë në dispozicion edhe një pronë me qira me vlerë të lartë për të qëndruar. Sipas raportimit, Farage kishte detyrimin t’i deklaronte këto përfitime të marra gjatë 12 muajve para se të bëhej deputet, ashtu siç e kërkojnë ligji dhe procedurat parlamentare, për shuma deri në 300 stërlina.
Pasi u zgjodh deputet, Farage regjistroi në Parlament 9.254 stërlina të mbuluara nga Cottrell për një udhëtim në Belgjikë në prill të 2024. Më pas, ai deklaroi edhe 15.276 stërlina të tjera, sërish nga i njëjti person, për një udhëtim me avion brenda Amerikës në dhjetor të 2024. Ndërkohë, Farage, partia e të cilit renditet pak mbi Laburistët në sondazhet e opinionit publik, po hetohet edhe në një tjetër çështje parlamentare që lidhet me një donacion prej 5 milionë stërlinash të dhuruara nga një investitor britanik i kriptomonedhave në 2024, të cilat ai nuk i kishte deklaruar.
Zëdhënësi i Farage i ka hedhur poshtë akuzat e publikuara nga The Sunday Times, duke deklaruar se kjo nuk është befasuese për një gazetë që kishte mbështetur ardhjen e Laburistëve në pushtet në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas së përditshmes prestigjioze britanike, George Cottrell mund të ketë interes nga lidhja me Farage, pasi synon të marrë falje nga presidenti Trump për dënimin e dhënë në Amerikë, në një kohë kur zëvendëspresidenti amerikan është takuar me Farage në Shtetet e Bashkuara.
The Sunday Times kujton se në vitin 2016 George Cottrell arriti një marrëveshje me prokurorët amerikanë duke pranuar një akuzë për mashtrime në internet. Ai kreu tetë muaj burg pasi u kishte ofruar agjentëve federalë, të paraqitur si trafikantë droge, t’u pastronte para në dark web.
