Pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet e fundit, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Të lidhura
None found
Në këtë kuvend, pritet të shtrohet kërkesa për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas asaj që mëson KosovaPress, iniciativa po drejtohet nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri. Burimet e KosovaPress bëjnë të ditur se ai po viziton degët e partisë në nivel vendi dhe po kërkon firmat e delegatëve.
Po sipas burimeve të medias nga njëra prej degëve të LDK-së, si dhe nga delegatë që tashmë kanë dhënë nënshkrimin e tyre, numri i firmave të mbledhura deri tani është rreth 150, ndërsa LDK-ja ka gjithsejtë 355 delegatë.
Ndërkohë, media mëson se edhe Shkëmb Manaj kishte qenë për vizitë në të njëjtën degë, ku po përpiqej t’i bindte delegatët që të mos i jepnin nënshkrimet e tyre.
Gjatë ditës së sotme, media ka tentuar të kontaktojë si Manajn ashtu edhe Muhaxherin, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i qasshëm dhe nuk janë deklaruar deri në publikimin e këtij artikulli.
