Brazili pritet të paraqitet me disa ndryshime në formacion për përballjen e 1/8 së finales ndaj Norvegjisë, në krahasim me ekipin që triumfoi ndaj Japonisë në 1/16 e finales.
Të lidhura
None found
Një nga arsyet kryesore për këto lëvizje është mungesa e mesfushorit Lucas Paqueta, i cili nuk do të jetë i disponueshëm për shkak të një dëmtimi.
Paqueta dëmtoi muskujt e pasmë të kofshës gjatë fitores 2-1 kundër Japonisë, çka e lë Brazilin pa një prej elementëve të rëndësishëm në mesin e fushës.
Ancelotti pranoi se zëvendësimi i tij nuk është i thjeshtë, pasi sipas tij nuk ka një tjetër lojtar me të njëjtat tipare si Lucas Paqueta.
“Nuk kemi një lojtar me cilësitë e Lucas Paquetas, ndaj duhet ta zëvendësojmë me një profil tjetër. Në këtë aspekt kemi karakteristika të ndryshme te lojtarët si Danilo, Gabriel, Matheus Cunha apo Ederson”, shtoi Ancelotti.
Në anën tjetër, lajmi i mirë për brazilianët lidhet me Raphinhan, i cili të premten u kthye në stërvitje pas një ndërprerjeje prej dy javësh.
Sulmuesi kishte mbetur jashtë për shkak të një dëmtimi në tendinën e gjurit, të pësuar në pjesën e parë të sfidës së fazës së grupeve kundër Haitit.
Carlo Ancelotti bëri të ditur se lojtari është i gatshëm për ekipin, megjithëse ende nuk ndodhet në formën e tij maksimale.
“Raphinha po rikuperohet shumë mirë. Nuk është ende plotësisht i gatshëm, por është në dispozicion për të qenë në stol dhe për të marrë disa minuta ose për të ndihmuar në momente të caktuara”, u shpreh Ancelotti.
Rikthimi i Raphinhas, i kombinuar me faktin që edhe Neymari është i gatshëm, i jep Brazilit më shumë alternativa në fazën sulmuese përpara ndeshjes së fazës nokaut.
Lidhur me kërcënimin që paraqet Erling Haaland, tekniku italian u shpreh se prapavija e tij e njeh shumë mirë sulmuesin norvegjez dhe është e përgatitur për ta përballuar.
“Nuk kam nevojë t’ua shpjegoj mbrojtësve të mi si luan Haaland. Ata e njohin shumë mirë, pasi janë përballur shpesh me të”, tha ai.
Takimi mes Brazilit dhe Norvegjisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës luhet sonte duke nisur nga ora 22:00.
