Argjentina nuk ia doli ta zgjidhte përballjen me Kepin e Gjelbër brenda 90 minutave, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1 dhe tani ndeshja do të vijojë në vazhdime.
Të lidhura
None found
Kampionët e botës e morën kontrollin që në fillim dhe ndërtuan disa aksione të rrezikshme, me Lionel Messin në qendër të lojës. Fillimisht kapiteni argjentinas tentoi nga një goditje e lirë, ndërsa më pas shpërdoroi edhe një mundësi të mirë brenda zonës.
Gjithsesi, në minutën e 29-të Messi gjeti rrugën e rrjetës. Pas një asistimi të shkëlqyer nga Lisandro Martinezi, sulmuesi i Argjentinës mbeti i lirë në zonë dhe goditi fort drejt çatisë së portës, duke i dhënë skuadrës epërsinë 1-0.
Në pjesën e dytë, Kepi i Gjelbër u rrit ndjeshëm dhe nisi të kërcënojë më shumë portën kundërshtare. Shenjën e parë e dha Deroy Duarte me një goditje të fortë, por Emiliano Martinezi reagoi me një pritje të madhe.
Barazimi erdhi në minutën e 59-të, kur Ryan Mendes pasoi për Deroy Duarte dhe ky i fundit, nga brenda zonës, goditi saktë në këndin e poshtëm të portës për 1-1.
Deri në fund, Argjentina insistoi për golin e fitores. Messi pati edhe dy mundësi të mira, mes tyre një goditje dënimi që u ndal nga Vozinha dhe një rast të pastër në zonë, por portieri i Kepit të Gjelbër u shfaq sërish në lartësinë e duhur.
Në minutat përmbyllëse provuan edhe Enzo Fernandez, Alexis Mac Allister dhe Leandro Paredes, por as ata nuk arritën të mposhtnin Vozinhan.
Pas rezultatit 1-1 në kohën e rregullt, Argjentina dhe Kepi i Gjelbër do ta kërkojnë kualifikimin në vazhdime.
