Në kazermën “Ilinden” në Shkup u prezantuan pajisje të reja për Armatën, të siguruara me fonde të Bashkimit Evropian. Ky furnizim është realizuar në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, konkretisht përmes Fondit Evropian për Paqe, dhe është i organizuar në tre paketa.
Të lidhura
None found
Në vend kanë mbërritur tashmë pajisjet e paketës së parë, si edhe një pjesë e paketës së dytë. Ato përfshijnë mjete dhe sisteme të ndryshme, si radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radar 3D dhe sensorë portativë. Ndërkohë, paketa e tretë do të përfshijë pajisje logjistike, si dhe mjete për njësitë e komunikimit dhe ato të këmbësorisë.
Në këtë prezantim ishin të pranishëm kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas.
“Siguria është pjesë thelbësore e partneritetit evropian të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se në vitin 2024 nënshkruam partneritetin për siguri dhe mbrojtje. Sot jemi vërtet të kënaqur që mund të shohim rezultate të dukshme të këtij partneriteti. Jam i bindur se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë për t’u përballur me të gjitha sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa”, deklaroi Michalis Rokas, ambasadori i BE-së në RMV.
“Bëhet fjalë për paketë në total rreth 40 milionë euro dhe 2 milionë euro shtesë për vendet e Ballkanit. Punojmë në vazhdimësi, shpresoj në periudhën në vijim do të njoftojmë për pako të reja që do të përfshijnë pajisje shtesë, por ajo që dua të them është bashkëpunimi i jashtëzakonshëm që kemi me ambasadorin, me delegacionin europian, sjell frute të mëdha, pajisje shtesë, rritje të buxhetit, që është shumë e rëndësishme”, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
