Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit për performancën financiare dhe pajtueshmërinë e Klinikës për vitin 2024, rreth 66% e të gjitha ekzaminimeve në Klinikën e Kirurgjisë Torakale janë zhvilluar përmes referimeve urgjente ose referimeve pa termin.
Të lidhura
None found
Raporti vëren se ekziston një shpërpjesëtim ndërmjet numrit të kontrolleve të rregullta dhe atyre urgjente, situatë që ka sjellë mbingarkesë në punën e Klinikës.
Auditorët theksojnë se një përbërje e tillë e referimeve paraqet një largim të dukshëm nga përdorimi i planifikuar i sistemit “Termini im” dhe shton barrën e punës në Klinikë, gjë që mund të ndikojë në efikasitetin e planifikimit dhe organizimit të procesit të punës, në shfrytëzimin optimal të kapaciteteve në dispozicion dhe në qasjen e pacientëve te shërbimet shëndetësore.
Në raport thuhet gjithashtu se nuk është evidentuar në mënyrë të përditësuar dhe me kohë konsumi i barnave dhe materialeve mjekësore në regjistrat kontabël dhe materialë, ndërsa një pjesë e tyre janë furnizuar para skadimit të kontratës, me qëllim që të sigurohej zhvillimi pa pengesa i veprimtarisë së kujdesit shëndetësor.
Po ashtu, auditorët kanë konstatuar se brenda Klinikës nuk ishte themeluar një farmaci spitalore, përmes së cilës duhej të realizohej menaxhimi i inventarit.
Raporti nënvizon edhe zbatim jo të duhur të Ligjit për Prokurimin Publik në disa nga procedurat e realizuara të prokurimit publik.
Auditimi ka evidentuar se një pjesë e kërkesave të arkëtueshme janë më të vjetra se tre vjet, çka krijon pasiguri për mbledhjen e tyre në të ardhmen. Gjithashtu është konstatuar edhe mospërputhje mes pjesëmarrjes së përllogaritur dhe asaj të arkëtuar për shërbimet shëndetësore të ofruara për të siguruarit shëndetësor.
Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara, ESHR i ka dorëzuar tetë rekomandime Klinikës për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare.
