Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit natyror, së bashku me rishikimin e Strategjisë së Energjisë, dolën si disa nga propozimet më të rëndësishme nga debati “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest.
Të lidhura
None found
Në këtë diskutim, ku ishin të pranishëm përfaqësues institucionesh, biznesesh, ekspertë, akademikë dhe anëtarë të shoqërisë civile, u vlerësua se vendi duhet të ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar furnizim me energji që të jetë i qëndrueshëm, i përballueshëm dhe afatgjatë, përmes diversifikimit të burimeve dhe uljes së varësisë nga importi.
Sipas pjesëmarrësve, mungesa për vite me radhë e investimeve në kapacitete të reja energjetike ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së energjisë për qytetarët dhe bizneset, duke dëmtuar njëkohësisht konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës.
Në këtë kuadër, u theksua se gazi natyror shihet si një zgjidhje strategjike për të rritur sigurinë energjetike dhe për të forcuar stabilitetin e sistemit energjetik. Po ashtu, u vu në pah rëndësia që Kosova të lidhet me rrjetin rajonal të gazit përmes terminalit LNG të Alexandroupolis nëpërmjet interkonektorit SKOPRI, si edhe përmes ndërlidhjes me terminalin e planifikuar në Vlorë nëpërmjet projektit ALKOGAP, me synim diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.
Në përmbyllje të debatit, OEK dhe Riinvest paraqitën disa rekomandime konkrete.
Një prej tyre ishte që Qeveria e Kosovës të angazhohet me prioritet për përfshirjen e vendit në rrjetin rajonal të gazsjellësit dhe për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme nga Hani i Elezit, në mënyrë që gazi natyror të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, për industrinë dhe për sistemet e ngrohjes.
Po ashtu, u kërkua rishikimi i Strategjisë së Energjisë, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës së gazit, ndërlidhjen me terminalin e Vlorës dhe mundësinë e gazifikimit të linjitit, me një infrastrukturë që do të ishte e përshtatshme edhe për transportin e hidrogjenit të gjelbër në të ardhmen.
Mes rekomandimeve ishte edhe përshpejtimi i zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër kërkesë ishte thellimi i bashkëpunimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, me fokus optimizimin e sistemeve energjetike dhe shqyrtimin e investimeve të përbashkëta në kapacitete të reja prodhuese.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti Riinvest ritheksuan në fund se ndërtimi i infrastrukturës së gazit, diversifikimi i burimeve energjetike dhe bashkëpunimi rajonal mbeten kushte thelbësore për forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.

