Të mërkurën, rreth njëzet ish-funksionarë të LSDM-së, së bashku me një funksionare aktuale të partisë, promovuan një lëvizje të re që e paraqesin si alternativë në hapësirën socialdemokrate. Sipas tyre, qëllimi i kësaj nisme është rikthimi dhe riafirmimi i idesë socialdemokrate, pasi vlerësojnë se ajo nuk po shprehet në mënyrën e duhur nga LSDM-ja nën drejtimin e liderit aktual, Venko Filipçe.
Të lidhura
None found
Në këtë takim ishin të pranishëm disa emra të njohur nga e kaluara e LSDM-së, mes tyre ish-nënkryetari Igor Ivanovski, i cili drejton këtë grupim, ish-sekretari i përgjithshëm Nikolla Qurkçiev, Emilijan Stankoviq, si dhe ish-nënkryetarët Andrej Petrov dhe Gordan Georgiev.
Mes funksionarëve aktualë mori pjesë deputetja Sllavjanka Petrovska, e cila kishte garuar për postin e kryetares së LSDM-së kundër Venko Filipçes. Po ashtu, e pranishme ishte edhe kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate dhe deputetja Monika Zajkova.
Në tubimin me titull “Biseda për të Ardhmen” morën pjesë gjithashtu avokati Zvonko Davidoviq dhe politologu Nenad Markoviq.
Pjesëmarrësit vlerësuan se kampi opozitar nuk ndërtohet përmes krijimit të partive të reja, por përmes një revolucioni ideologjik dhe të vlerave.
“Maqedonia ka nevojë për një kontratë të re shoqërore si bazë për krijimin e një potenciali të gjerë opozitar për ndryshim. Publiku demokratik progresist ka nevojë për debat të mirëfilltë dhe objektiv, i cili për të arritur qëllimin duhet të jetë i çliruar nga nevoja e zakonshme për t’u pëlqyer autoriteteve partiake”, thuhet në komunikatën e tyre.

