Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka folur për idenë e Besnik Tahirit lidhur me një kandidat të përbashkët të opozitës për president, duke vlerësuar se një veprim i tillë do ta kishte ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve politike dhe do ta kishte evituar krizën institucionale.
Rrustemi tha: “Oferta ka qenë më shumë për pjesën tjetër të opozitës, për PDK-në dhe LDK-në, që të dalim me një kandidat të përbashkët për president. Natyrisht, opozita i ka nënshkrimet e mjaftueshme për të nxjerrë një kandidat dhe siç e kam thënë edhe më parë, që është e drejtë e tyre dhe mbetet në vlerësimin e tyre. Për anën tjetër, po të përdorej kjo mundësi herën e kaluar, ne thjesht nuk do të kishim krizën dhe nuk do t’i kishim zgjedhjet e parakohshme. Sepse Kuvendi do të kishte mundësi dhe kuorum për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e Republikës. Prandaj, unë mirëpres çfarëdo ideje të opozitës për ta tejkaluar dhe për ta zgjidhur krizën e presidentit, natyrisht me shpresë që kanë hequr dorë nga bllokada. Bllokada nuk është asnjëherë zgjidhje”.
Të lidhura
None found
Sipas tij, kjo është një çështje që u përket vetëm partive opozitare dhe nuk ka të bëjë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai u shpreh edhe më tej: “Kjo është marrëveshje përbrenda opozitës. Nëse zoti Tahiri e ka fjalën për marrëveshje brenda opozitës për një kandidat të tyre të përbashkët, po, është e vërtetë që nëse opozita do të dilte me një kandidat për president herën e kaluar, ne do të kishim kuorumin e mjaftueshëm dhe nuk do ta kishim krizën dhe nuk do t’i kishim zgjedhjet e parakohshme. Por që opozita refuzonte çfarëdo mundësie sepse kishte ndarë mendjen për zgjedhje. Ata donin zgjedhje me çdo kusht e me çdo mjet, prandaj ajo refuzonte secilën ofertë të Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë kryetarin e Kuvendit, qoftë përfshirjen në qeveri të LDK-së, qoftë presidentin konsensual, po qoftë edhe që të propozojnë një emër apo tre emra e njërin prej tyre do ta votonim ne. Prandaj, domethënë, ideja e zotit Tahiri, e ofertës së zotit Tahiri është për PDK-në dhe LDK-në që të bëjnë pjesë e këtij procesi dhe të heqin dorë nga bllokada. Prandaj, po e përsëris, unë mirëpres çfarëdo iniciative të opozitës që reflekton heqje dorë nga bllokada e refuzimit dhe natyrisht ndihmojnë e kontribuojnë në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke dalë me kandidat, për ta tejkaluar krizën e presidentit.”
KosovaPress ka këmbëngulur të marrë një qëndrim edhe nga deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, në lidhje me deklaratat e Adnan Rrustemit, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Të hënën, deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, deklaroi se një mënyrë për të shmangur një ngërç të ri institucional do të ishte që partitë e ish-opozitës të mbështesin Ramush Haradinajn për president, ndërsa përballë tij të garojë një kandidat i VV-së, si subjekti fitues i zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Nga ky proces zgjedhor, e para doli Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, me 47.13%, duke siguruar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës mori 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca mori 6.74% dhe shtatë ulëse.
