Prej më shumë se një muaji, vendi po përballet me protesta masive që shpërthyen pas dhunimit të një qytetari në Zvërnec nga rojet private të një kompanie sigurie. Në këtë klimë, është shtuar dita-ditës debati mbi investimet e realizuara nga qeveria Rama ndër vite, apo edhe në vitet e fundit, për të cilat po ngrihen pikëpyetje për mungesë transparence dhe konsultimi publik.
Investimet strategjike, PPP-të dhe koncesionet kanë qenë vazhdimisht në qendër të përplasjeve politike mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend. Një prej rasteve më të përmendura është edhe fjala e mbajtur nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili në sallën e Parlamentit numëronte një sërë investimesh të qeverisë, mes tyre edhe ato që lidhen me ishullin e Sazanit dhe zonën arkeologjike të Butrintit.
Të lidhura
None found
Ky reagim i Salianjit i përket dy viteve më parë, në një periudhë kur këto çështje përmendeshin shumë më pak dhe diskursi dominohej kryesisht nga propaganda qeveritare, si për investimet, ashtu edhe për tema të tjera si PPP-të në shëndetësi dhe rezultatet e dobëta në arsim.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Salianji deklaronte: “E keni kthyer dhe e keni trajtuar Shqipërinë si një kafshatë që po e hani përditshëm. E dini ju sesi po e hani Shqipërinë? Ishulli i Sazanit qindra vite i paprekur, po e hani ju për drekë, Edi Rama se ju të tjerët nuk e di se çfarë ju mbetet nga dreka. Mijëra veta ai ishull vjen ai dhe e ha për drekë. Butrinti mijëra vjet i paprekur, një kafshatë e merrni ju. Diskutoni këtu për porte të rinj, për 400 miionë euro investim, por çfarë portesh keni ju sot? Portin e Limionit ua dhatë oligarkëve, Portin e Durrësit nuk dihet se kujt, por e keni fshehur pas Alabarit, Portin e Vlorës po ashtu e keni dhënë për të bërë resorte, çfarë portesh menaxhon ky shtet? Aeroportet i keni dhënë me kohë dhe nuk keni ndonjë interes tjetër përveç sesi të dalë më mirë aeroporti, reklamë qeveritare pafund. Rrugët që u bënë një pjesë e madhe gjatë qeverisjes së PD nuk menaxhohen më dhe nuk janë falas, po i bëni me pagesë, siç bëtë rrugën e “Kombit” dhe e keni propozuar për çdo rrugë tjetër. Sistemi arsimor, PISA. Më shtrembër sistemi arsimor i Shqipërisë sesa kulla e Pizës, në fund e keni çuar. Çfarë kontrolli keni ju në shëndëtësi? Katër koncesione kemi kërkuar të hetohen, tre prej tyre janë në SPAK dhe të treja nuk prodhojnë asnjë cilësi për sistemin shëndetësor të qytetarëve, prodhojnë miliona lekë për oligarkët dhe pasurojnë një grusht njerëzish në këtë vend”.
