Dr. Liljana Ristevska është zgjedhur Presidente e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mandatin e ri katërvjeçar, në seancën konstituive-zgjedhore të Kuvendit të organizatës. Sipas njoftimit zyrtar, ajo bëhet gruaja e parë që udhëheq Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e shtetit.
Të lidhura
None found
Ky vendim konsiderohet një zhvillim me rëndësi historike për organizatën më të madhe humanitare në vend dhe njëherësh një vlerësim për angazhimin e saj shumëvjeçar, profesionalizmin dhe rolin aktiv në përparimin e Kryqit të Kuq.
Në kumtesën e Kryqit të Kuq të RMV-ë thuhet se Ristevska e merr këtë përgjegjësi pas më shumë se dy dekadash përvojë në organizatë, ku ka kontribuar si vullnetare, si kryetare e Organizatës Komunale të Kryqit të Kuq në Manastir dhe si nënkryetare e deritanishme e Shoqatës Kombëtare.
Sipas të njëjtit njoftim, ajo hyn në këtë mandat me synimin për një Kryq të Kuq modern, më të fuqishëm dhe më të hapur, të përgatitur për t’u përballur me sfidat humanitare të kohës.
Gjatë periudhës së re drejtuese, theksi do të vendoset te forcimi i vullnetarizmit dhe anëtarësisë, zhvillimi i organizatave lokale, avancimi i shërbimeve humanitare, menaxhimi transparent dhe thellimi i partneriteteve brenda vendit, si edhe në kuadër të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Zgjedhja e saj si gruaja e parë në këtë post që nga pavarësia e Maqedonisë vlerësohet si një hap i rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm të mundësive të barabarta dhe të lidershipit në sektorin humanitar, duke vijuar në të njëjtën kohë misionin e Kryqit të Kuq për t’u shërbyer njerëzve me humanizëm, paanshmëri dhe solidaritet.

