Imami Gazmend Tairovci, i cili u vra mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në varrezat e fshatit.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave, hoxha humbi jetën pasi u ther me thikë nga i dyshuari Beshir Hamza, i njohur me nofkën “Kalorësi i Dragashit”.
Burime të grumbulluara nga media bëjnë të ditur se viktima ishte goditur pesë herë me thikë, pas një konflikti për një copë toke që ai e kishte kositur. Në momentin kur ndodhi ngjarja, pranë Beshirit ndodhej edhe babai i tij.
Më pas, ai u largua nga vendi i ngjarjes dhe në një kafiteri njoftoi banorët për incidentin, ndërsa i biri ishte në arrati. I pari që i doli në ndihmë viktimës ishte mjeku Alden Mrcolar, edhe pse në atë kohë ishte jashtë orarit të punës.
Kapja e të dyshuarit zgjati gjatë gjithë mbrëmjes dhe përfundoi vetëm në orët e paradites të së martës.
Për arrestimin e tij, Policia angazhoi njësitin K-9, dronë termikë dhe po ashtu edhe policinë kufitare, për shkak të territorit ku po kërkohej. Megjithatë, ai nuk përfundoi i vetëm në qeli, pasi disa orë më vonë u arrestua edhe babai i tij, i cili dyshohet për veprën penale “Mosdhënie e ndihmës”.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa sipas burimeve të Klanit, në ngjarje është përfshirë edhe nëna e Hamzës, e cila dyshohet se e ka shtyrë atë ta kryejë vrasjen.
