Në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Ervin Karamuço dha vlerësimin e tij për protestën e mbajtur këtë të martë përpara Kuvendit, duke u ndalur te mënyra si u sollën protestuesit dhe te ndërhyrja e policisë.
I pyetur nëse policia reagoi në mënyrë disproporcionale dhe nëse protesta i tejkaloi kufijtë e një tubimi paqësor, ai tha se ngjarja duhet analizuar në tri etapa të ndara.
Të lidhura
None found
“Së pari është tensioni fillestar, i cili në këto raste është i justifikuar, sepse nuk bëhet fjalë për një ditë vere, por për një situatë zemërimi. Së dyti vjen përshkallëzimi, ku fillojnë përplasjet dhe aty hyn përgjegjësia individuale e secilit protestues në raport me ligjin dhe veprimet që ndërmerr,” u shpreh Karamuço.
Ai nënvizoi se për çdo veprim të kryer gjatë protestës, secili person mban përgjegjësi individuale, si në raport me policinë, ashtu edhe me qytetarët e tjerë.
“Dhe e treta, që unë nuk e fal dhe nuk do ta fal kurrë, është destabilizimi i vendit,” theksoi ai.
Karamuço shtoi se pikërisht ky është shqetësimi i tij kryesor, ndërsa dy fazat e para, sipas tij, nuk përbëjnë arsye për alarm.
“S’jam i shqetësuar për dy të parat. Jam i qetë vetëm për një gjë: që të mos kalohet në destabilizim të vendit. Shumë prej atyre që dalin sot në protesta nuk e kanë jetuar ’97-ën dhe nuk e dinë çfarë ndodh kur vendi futet në destabilitet,” u shpreh ai.
