La Liga ka konfirmuar zyrtarisht kalendarin për edicionin 2026/27, me Barcelonën që do ta nisë mbrojtjen e titullit në ‘Spotify Camp Nou’ përballë Athletic Bilbaos.
Edicioni i ri i kampionatit spanjoll është parashikuar të startojë më 15-16 gusht, por ndeshja e parë e Barcelonës mund të shtyhet në rast se disa lojtarë të saj mbeten të angazhuar në fazat finale të Kupës së Botës.
Të lidhura
None found
Ekipi i Hansi Flick synon të sigurojë titullin e tretë rresht në La Liga, pasi ka dalë fitues në dy sezonet e fundit.
Po ashtu janë përcaktuar edhe datat e dy ndeshjeve të ‘El Clasico’. Barcelona do ta presë Real Madridin në ‘Spotify Camp Nou’ më 24 ose 25 tetor, në javën e 10-të, ndërsa takimi i kthimit në ‘Santiago Bernabeu’ është caktuar për 8 ose 9 maj, në kuadër të javës së 35-të.
Katalanasit kanë mësuar edhe datat e dueleve me Atletico Madridin. Përballja e parë do të luhet në ‘Riyadh Air Metropolitano’ më 7 ose 8 nëntor, në javën e 12-të, ndërsa sfida e kthimit në ‘Spotify Camp Nou’ do të zhvillohet më 6 ose 7 shkurt, në javën e 23-të.
Nga ana tjetër, Real Madridi do ta hapë sezonin në ‘Santiago Bernabeu’ kundër Real Sociedadit, ndërsa kampionatin do ta mbyllë po në shtëpi, ndaj Deportivo La Corunas, në javën e fundit.
Janë bërë publike edhe datat e derbit të Madridit. Real Madridi do të luajë si mysafir ndaj Atletico Madridit në ‘Riyadh Air Metropolitano’ më 20 shtator 2026, ndërsa ndeshja e kthimit në ‘Santiago Bernabeu’ do të zhvillohet më 4 prill 2027.
