Kuvendi i Shqipërisë përfundoi seancën plenare të kësaj të marte, ku u dhanë miratimet për disa projektrezoluta që lidhen me vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura, si edhe për vendime që prekin përbërjen e komisioneve parlamentare.
Ndër vendimet e marra ishte edhe caktimi i deputetit Gjin Gjoni si anëtar në sekretariatin për Procedurat e Votimit dhe Etikën. Ky vendim u miratua në Kuvend me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Të lidhura
None found
Po ashtu, deputetja e pavarur Marjana Koçeku u largua nga komisionet ku ishte pjesë. Ajo u hoq si anëtare e Komisionit për Reformën Administrative-Territoriale, ndërsa në vend të saj u caktua deputeti Onid Beleri. Vendimi mori 72 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, Marjana Koçeku u largua nga detyra e sekretares së Komisionit dhe në këtë funksion u caktua deputetja Sara Mila. Ky vendim u votua me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër largimin e Marjana Koçekut si anëtare e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Një tjetër vendim parashikoi largimin e Marjana Koçekut si anëtare zëvendësuese nga Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ndërsa në këtë komision u caktua deputetja Ilva Gjuzi. Votimi për këtë çështje përfundoi me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Sa i takon votimeve për aktet e tjera, projektligji “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare, të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të rregullimeve për shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe për shëndetin e bimëve e të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë” u miratua në tërësi me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025” kaloi me 74 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër.
Me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër u miratua edhe projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2025”.
Po me 73 vota pro, 0 abstenim, 1 kundër u miratua projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike për vitin 2025”.
Ndërkohë, projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025” u miratua me 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër.
E njëjta shumicë, 73 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër, miratoi edhe projektrezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionit të ProkurimitPublik për vitin 2025”.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2025” mori miratimin me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
Ndërsa projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për vitin 2025” u votua me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër.
Në fund, projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2025” u miratua me 75 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër.
