Vala e të nxehtit që ka lënë pas 1300 viktima në gjithë Europën ka nxjerrë në pah nevojën e menjëhershme për sisteme shëndetësore më të përgatitura për përballimin e temperaturave ekstreme.
Në disa pjesë të kontinentit të vjetër, termometri u ngjit deri në 40 gradë Celsius, ndërsa shërbimet e urgjencës u përballën me një numër të lartë telefonatash. Në të njëjtën kohë, spitalet po trajtojnë gjithnjë e më shumë pacientë me probleme që lidhen me të nxehtin, ndërsa më të ekspozuarit mbeten të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Të lidhura
None found
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Hans Kluge, theksoi se bëhet fjalë për një situatë jo të zakonshme. “Trajtojeni të nxehtin ekstrem si një krizë shëndetësore dhe veproni përpara se temperaturat të arrijnë kulmin”, shkroi ai në platformën X.
“Gatishmëria ndaj valëve të të nxehtit duhet të jetë konkrete: lirimi i shtretërve në spitale, mbrojtja e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimi i sistemeve të ftohjes, kontrolli i burimeve rezervë të energjisë dhe mbështetja e personelit shëndetësor”, shtoi zyrtari i lartë i OBSH-së. Sipas tij, temperaturat përvëluese kanë ushtruar tashmë presion të madh mbi sistemet shëndetësore në disa vende europiane.
Në Francë, repartet e urgjencës kanë bërë të ditur se rastet e lidhura me vapën, mes tyre goditjet nga nxehtësia dhe dehidratimi, janë rritur katër herë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, Shërbimi i Ambulancës së Londrës njoftoi se kjo valë e të nxehtit ndikoi në ditën më të ngarkuar në historinë e tij, me afro 9.000 telefonata emergjente të përballuara brenda vetëm një dite.
