VLEN deklaron se gjatë 24 viteve, Ali Ahmeti nuk arriti të sigurojë kanalizim as për vendlindjen e tij, Zajazin. Sipas tyre, ky fshat mbeti pa kanalizim edhe sot, ndërsa me daljen në pah të dosjeve, po bëhet më e qartë edhe arsyeja.
Të lidhura
None found
“Çdo e dhënë e re që del në pah e shemb edhe më tepër fasadën e BDI-së. Shqiptarëve u flitej për ‘kauza’, por pas skenës janë nënshkruar kontrata bashkëpunimi, janë përfshirë kompani vendore dhe janë qarkulluar miliona euro nga fondet evropiane. Banorët prisnin kanalizim, ndërsa dikush tjetër priste pagesat. Sa më shumë që zbërthehet kjo çështje, aq më tepër shtrohen pyetje. Kush përfitoi? Kush i futi kompanitë në projekt? Kush mbylli sytë? Dhe a do të arrijë hetimi deri te çdo hallkë e këtij zinxhiri?”.
Nga VLEN theksojnë se shqiptarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, të mësojnë se ku përfunduan milionat, kush përfitoi nga projekti dhe pse për 24 vite Zajazi mbeti me gropa septike, pa një zgjidhje elementare. “Zajazi nuk do të mbetet më peng i premtimeve të BDI-së. Atë që ata e lanë në baltë për 24 vite, tani po e nxjerrim në rrugë të mbarë. VLEN nuk do të lejojë që kjo çështje të mbulohet me pluhur. Kërkon që hetimi të shkojë deri në fund. Të hapet çdo kontratë, pagesë, kompani dhe çdo lidhje e mundshme politike, biznesore apo familjare. BDI la pas borxhe e dyshime. Tani duhet të japë llogari”, thonë nga VLEN.

