Për herë të parë, presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar se sulmet me dronë të Ukrainës mbi infrastrukturën energjetike po ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me karburant në Rusi.
Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, ai deklaroi se këto goditje kanë sjellë “probleme të dukshme”, megjithëse theksoi se gjendja, sipas tij, nuk ka arritur në nivel kritik.
Të lidhura
None found
“Sigurisht që krijojnë probleme. Tani kemi një mungesë të caktuar, por nuk është kritike”, tha Putin.
Ai shtoi se autoritetet ruse synojnë ta lehtësojnë situatën përmes rritjes së importeve të karburantit, ndërsa paralelisht do të rrisin mbrojtjen e rafinerive dhe do të përshpejtojnë riparimet në objektet e dëmtuara.
Muajt e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive të naftës, duke goditur objektiva strategjikë që ndodhen larg vijës së frontit. Sipas analistëve, këto sulme kanë reduktuar me rreth 25% kapacitetin e rafinimit të naftës në Rusi dhe kanë shkaktuar mungesa në furnizimin e tregut të brendshëm.
Në dhjetëra rajone ruse, mes tyre edhe Moska, është vendosur racionimi i karburantit. Gjendja raportohet edhe më e rënduar në Krimenë e aneksuar, ku sulmet kanë prekur gjithashtu rrjetin logjistik.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se kjo fushatë me dronë ka si synim dobësimin e kapaciteteve luftarake të Rusisë, përmes goditjes së furnizimeve me karburant dhe infrastrukturës energjetike.
