Nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi për mediat se socialistët nuk do ta pranojnë kërkesën e Partisë Demokratike për mocion me debat në lidhje me kërkesat e protestuesve, pasi sipas tij PD nuk njihet si interlokutore mes PS-së dhe protestës.
Duke komentuar protestën qytetare në Tiranë, e cila sot hyn në ditën e 30-të, Balla u shpreh se ajo tashmë është kthyer në një tullumbace të shfryrë.
Të lidhura
None found
“Mbledhja e grupit ishte e përqendruar te agjenda jonë parlamentare dhe, njëkohësisht, jam vënë në dijeni nga grupi parlamentar për qëndrimin që do të mbajmë lidhur me disa kërkesa për mocion me debat.
Për sa i takon një kërkese të PD-së, të lexuar nga protesta, unë as nuk e pranoj dhe as nuk e njoh Partinë e Saliut si interlokutore mes nesh dhe protestës.
Kam respekt për të gjithë ata që do të marrin pjesë në protestë për çështje që kanë të bëjnë me shqetësime mbi normat mjedisore në një investim jetik për ekonominë e vendit në Zvërnec, i cili do të realizohet domosdoshmërisht, sepse përbën një mundësi të madhe. E kam thënë edhe më parë në qëndrimet e mia se brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që si kur e frynë, ashtu edhe tani që kjo tullumbace u shfry… kanë qenë konkurrencë turistike dhe interferenca të huaja armiqësore. Kjo tullumbace tashmë ka plasur në sytë e shqiptarëve.
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një protestë që nisi për një akt që e dënojmë të gjithë; dhuna në Zvërnec ishte e papranueshme. Sot ajo çështje është lënë në harresë dhe të vetmit që flasim tani për të jemi ne.
Sot protestën ua kanë vjedhur atyre që e nisën”, tha Balla.
