Disa ditë më parë, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) është depozituar një kallëzim i ri ndaj ish zëvendëskryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi, si edhe drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj.
Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme, avokatja Adriana Kalaja foli për një skemë të përdorur për ndërtimin e parqeve fotovoltaike përmes kompanive fiktive, ku sipas saj përfshihen Belinda Balluku, vartësi i saj Maksim Ethemaj dhe motra e tij, Eva Kajer.
Të lidhura
None found
Maksim Et’hemaj nuk është një emër shumë i njohur për publikun e gjerë, por ai përshkruhet si një nga njerëzit kyç të Belinda Ballukut, sidomos në çështjet që lidhen me Aviacionin Civil, fushë në të cilën edhe vetë Balluku ka një eksperiencë të gjatë.
Aktualisht, Et’hemaj mban detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar dhe ka 22 vite përvojë në menaxhimin e trafikut ajror. Megjithatë, përtej karrierës së tij në këtë sektor, lidhjet e forta me Ballukun dhe përfshirja e familjarëve të tij rezultojnë të shtrihen edhe në kontrata me qeverinë. Sipas kësaj linje, bashkëpunëtorët e afërt të “Shefe Belës” shpërblehen me licenca të firmosura prej saj.
Në tetor të vitit 2020 u krijua kompania “GREEN PLUS ENERGY”, ku aksionere figuron shtetasja Eva Kjaer dhe administrator shtetasi Gjergj Pano. Objekti i aktivitetit të kësaj kompanie është implementimi dhe menaxhimi i projekteve për prodhimin e energjisë elektrike, përfshirë atë fotovoltaike, si edhe çdo lloj tjetër prodhimi energjie dhe veprat ndihmëse në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Sipas të dhënave, Eva Kjaer jeton jashtë Shqipërisë dhe ushtron profesionin e shefes së kuzhinës, ndërsa rezulton të jetë motra e Drejtorit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj. Nga ana tjetër, Gjergj Pano është vëllai i gruas së Maksim Et’hemajt.
Këto të dhëna, sipas materialit, mjaftuan që më 28 prill 2023 Ministria e Infrastrukturës të jepte kontratën “Për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 2 MW, dhe veprave ndihmëse, në Njësinë Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier”, zonë ku Belinda Balluku vijon të jetë drejtuese politike.
Vetëm një muaj më vonë, leja e firmosur nga Belinda Balluku mori edhe miratimin e KKT-së, që i dha vulën lejes zhvillimore. Sipas përshkrimit, e gjithë kjo procedurë u zhvillua me shpejtësi të lartë për një kontratë të konsideruar të majme, në favor të motrës së drejtorit Et’hemaj, për një kompani pa të ardhura dhe me 0 m2 tokë në pronësi.
Dy muaj pas miratimit të lejes zhvillimore nga KKT, në korrik të vitit 2023, Eva Kjaer vendosi të shesë 40% të aksioneve te kompania 4 A-M për vlerën 40.000 lekë. Në pamje të parë kjo mund të shihet si një marrëdhënie normale biznesi, por bilancet e kompanisë japin një panoramë tjetër.
Në bilancin e vitit 2020 pasqyrohet se kompania kishte në llogari shumën 34.500.000 lekë, e cila sipas sqarimeve rezulton si garanci paraprake për kryerjen e punimeve. Kjo shumë, sipas materialit, nuk paraqitet si kontribut i ortakut të kompanisë dhe nuk identifikohet se kush e ka parapaguar.
Për vitet 2021 dhe 2022, kjo shumë ka mbetur e pandryshuar në llogarinë bankare. Po në bilancet e këtyre viteve figuron edhe një pagesë tjetër ndaj Bashkisë Fier për marrjen me qira të tokës.
Konkretisht, për vitin 2021 janë paguar 221.000 lekë qira toke, ndërsa për vitin 2022 janë paguar 121.000 lekë. Sipas materialit, bëhet fjalë për një qira prej rreth 120 euro në muaj për 30.000 m2 tokë, sipas përcaktimeve në studimin e paraqitur pranë KKT-së.
Në bilancin e vitit 2023 identifikohet më në fund subjekti që kishte dhënë rreth 340.000 euro pa interes për 3 vite për kompaninë e motrës së Drejtorit të Aviacionit Civil, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm Teknik në ANTA. Sipas të dhënave, shuma 34.500.000 nuk paraqitet më si parapagim, por si hua e dhënë nga ortaku 4 A-M shpk.
Sipas këtij interpretimi, motra e drejtorit hyn në biznesin energjetik në Shqipëri, megjithëse ka dekada në emigracion dhe profesion kuzhiniere. Për realizimin e këtij projekti, sipas materialit, në ndihmë i vijnë kompania 4 A-M dhe Bashkia Fier, ku njëra paraqitet si mbështetëse me para dhe tjetra me toka shtetërore.
Artikulli ngre pyetjen nëse kjo është rastësi, duke sjellë në vëmendje faktin se në periudhën kur 4 A-M po financonte kompaninë e së motrës, ANTA i dha kësaj kompanie 3 tendera në vlerën 500 mijë euro.
Sipas të dhënave të renditura, në vitin 2018 mes ANTA-s dhe 4 A-M u lidh kontrata për “Blerje AC specifik sipas nevojave te Teknikes” me vlerë 2.5 milionë lekë. Më pas, në prill të vitit 2019, në një tender pa garë dhe me flamur të kuq, 4 A-M përfitoi 29.3 milionë lekë për “Shpenzime mirëmbajtje dhe blerje pjesë ndërrimi e sistemeve të instaluara në Administratë”. Në fund të vitit 2021, kompania mori edhe një tjetër tender me vlerë 20.5 milionë lekë, po pa garë dhe me flamur të kuq.
Të gjitha këto procedura të fituara nga 4 A-M pranë ANTA (ALBCONTROLL), me vlerë totale 500.000 euro, përkojnë me periudhën kur në krye të Drejtorisë Teknike ishte pikërisht vëllai i Eva Kjaer, shtetasi Maksim Et’hemaj.
Në material thuhet se nuk synohet të akuzohet askush, por se këto veprime ngrenë dyshime të arsyeshme dhe për këtë arsye SPAK duhet të hetojë. Një tjetër problem i evidentuar në këtë projekt lidhet me kategorinë e tokës, e cila sipas përshkrimit nuk lejon miratimin e ndërtimit të një impianti fotovoltaik, pasi në projekt figuron thjesht si “ranishte”, pa u përcaktuar kategoria.
Sipas artikullit, ky element konsiderohet penal dhe gjendet gjerësisht në kontratat e firmosura nga Balluku në kuadër të idesë për Shqipërinë Superfuqi Energjetike.
Ndërkohë, emri i Et’hemajt del edhe në dosjen “Balluku”. Nga hetimi i SPAK rezulton se njësitë e banimit në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi kanë nisur t’u dorëzohen personave të interesuar për banim në muajin qershor të vitit 2019.
Sipas hetimit, që nga momenti i marrjes në dorëzim të vilës, ajo rezulton të jetë përdorur rregullisht nga Belinda Balluku. Po ashtu, nga kqyrja e aktit të ekspertimit Nr.203, datë 8 Tetor 2024, të aparatit celular “Blackberry” të sekuestruar Viola Haxhiademit, rezulton se më 21 qershor 2019, në aplikacionin “Whats App”, Belinda Balluku, duke përdorur numrin e celularit “069604XXXx”, ka krijuar grupin me titull “Dhërmi”.
Në këtë grup janë përfshirë Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Et’hemaj dhe Alketa Pano. Sipas të dhënave, personat e përfshirë në këtë grup, pra zyrtarët Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano, kanë njësi banimi në kompleksin “White Rocks”, 1 në Dhërmi.
Emërtimi i grupit si “Dhërmi” lidhet me vendndodhjen e këtyre njësive të banimit, ndërsa sipas hetimit ai është krijuar që zyrtarët e mësipërm të koordinoheshin me njëri-tjetrin gjatë qëndrimit në kompleks. Po ashtu, dyshohet se edhe Et’hemaj disponon një vilë në këtë kompleks, e cila sipas artikullit mund të jetë përfituar nga korrupsioni në bashkëpunim me Ballukun.
