Një shtetas australian, 46 vjeç, është vënë në pranga nga autoritetet në Tajlandë, nën dyshimin se ka kryer vrasjen e rëndë të një 17-vjeçareje, trupi i së cilës u zbulua i fshehur në një valixhe.
Ndalimi i tij u bë në Aeroportin Ndërkombëtar Suvarnabhumi në Bangkok, në momentin kur po tentonte të siguronte një biletë fluturimi për në Perth, Australi. Një përfaqësues i policisë së Pattayas i tha AFP se 46-vjeçari u arrestua pas marrjes në pyetje, ndërsa ai vazhdon t’i kundërshtojë akuzat.
Të lidhura
None found
Policia arriti ta identifikojë të dyshuarin pas shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë. Sipas hetuesve, në regjistrime ai shihet teksa hyn në një godinë në zonën turistike të Pattayas bashkë me 17-vjeçaren, gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes.
Pak orë më pas, i njëjti person është kapur nga kamerat duke dalë i vetëm nga ndërtesa, ndërsa tërhiqte me vështirësi një valixhe të madhe me ngjyrë të zezë, të cilën më pas e ngarkoi në pjesën e pasme të një skuteri.
Një ditë më vonë, efektivët gjetën valixhen të hedhur pranë shinave të trenit. Brenda saj ndodhej trupi i 17-vjeçares, ku sipas mediave vendase ishin konstatuar shenja dëmtimesh.
Tashmë autoritetet po presin përfundimet zyrtare të autopsisë dhe të analizave laboratorike, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes dhe thellimin e akuzave ndaj 46-vjeçarit.
Ai pritet të akuzohet për vrasje, rrëmbim të një të miture me motive seksuale dhe fshehje të trupit.
