Autoritetet shëndetësore në Afrikë kanë dhënë alarmin, pasi nuk dihet se ku ndodhen afro 300 persona të diagnostikuar me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), Jean Kaseya, bilanci i të shëruarve, pacientëve që po trajtohen dhe viktimave tregon se 297 raste të konfirmuara me Ebola nuk po gjurmohen më.
Të lidhura
None found
“Ky është një burim shqetësimi për ne. Ku janë këta njerëz?”, u shpreh Kaseya.
Ai theksoi gjithashtu se 30% e rasteve të reja janë zbuluar te kontaktet e njohura të rasteve të konfirmuara, çka sipas tij është një sinjal i përhapjes së gjerë të virusit në komunitet.
Në të njëjtën kohë, projeksionet e zyrës rajonale për Afrikën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuara në revistën Lancet Infectious Diseases, parashikojnë që deri në mesin e shtatorit numri i rasteve mund të shkojë në rreth 8.210, ndërsa ai i viktimave në 1.420.
Deri tani, në Republikën Demokratike të Kongos janë konfirmuar 1.118 raste dhe 291 viktima. Në Ugandën fqinje, ndërkaq, janë raportuar 20 raste dhe dy viktima.
Shpërthimi në vazhdim, i lidhur me variantin Bundibugyo të virusit Ebola, konsiderohet më i madhi i regjistruar ndonjëherë vetëm pesë javë pas shpalljes së epidemisë. Për krahasim, në të njëjtën periudhë të epidemisë së Afrikës Perëndimore në vitet 2014–2016 ishin regjistruar 239 raste dhe 160 viktima, ndërsa gjatë gjithë asaj vale epidemike u infektuan mbi 28 mijë persona dhe humbën jetën më shumë se 11 mijë.
Modelet më të fundit epidemiologjike tregojnë se ka një probabilitet 70% që virusi të zgjerohet në Sudanin e Jugut gjatë javëve në vijim.
Ndërkohë, kapacitetet në qendrat e trajtimit për Ebola janë pranë kufirit maksimal. Sipas Africa CDC, rreth 95% e shtretërve janë të zënë, teksa autoritetet paralajmërojnë se kulmi i epidemisë nuk është arritur ende.
Në një tjetër zhvillim, Franca bëri të ditur të mërkurën se një mjek, i cili kishte punuar në Republikën Demokratike të Kongos, doli pozitiv me Ebola pasi u kthye në vend. Organizata joqeveritare mjekësore ALIMA, që është punëdhënësi i tij, njoftoi se po heton se si mund të ketë ndodhur infektimi.
