Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka reaguar për protestën që po mbahet në Tiranë prej 25 ditësh, duke ngritur shqetësimin për pasojat që, sipas tij, kjo situatë mund të sjellë për Shqipërinë.
Në prononcimin e tij për mediat, ai nënvizoi rëndësinë historike që ka Shqipëria për shqiptarët në rajon, me theks të veçantë për Kosovën, për të cilën tha se vendi ka luajtur një rol vendimtar në proceset e lirisë dhe të shtetformimit.
Të lidhura
None found
Ahmeti u shpreh se po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, ndërsa vlerësoi se protestat po i japin vendit “dy goditje të forta”, duke veçuar ndikimin e tyre të mundshëm te turizmi dhe te klima e investimeve.
Sipas kreut të BDI-së, turizmi, që përbën një nga shtyllat themelore të ekonomisë shqiptare, rrezikon të dëmtohet nga pasiguria dhe nga imazhi që përcillet jashtë vendit. Ai përmendi gjithashtu edhe pasojat që, sipas tij, këto protesta mund të sjellin për investitorët vendas dhe të huaj.
“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; po goditen investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri”, deklaroi kreu i BDI-së.
Më tej, Ahmeti theksoi se qëndrimi i tij nuk lidhet me mbrojtjen e figurave të caktuara politike, por me interesin e Shqipërisë, duke shtuar se stabiliteti dhe zhvillimi i saj kanë rëndësi për të gjithë shqiptarët.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i shqyrtojnë me kujdes pasojat e zhvillimeve politike, duke paralajmëruar se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e shqiptarëve në rajon.
