Këtë vit bujqësor, 850 hektarë të mbjella me shalqi në fushat e Divjakës po furnizojnë jo vetëm tregun vendas, por edhe atë rajonal.
Megjithatë, prej disa ditësh, në kulmin e prodhimit dhe të pjekjes teknike, çmimi i shitjes ka zbritur ndjeshëm. Në tregun e shumicës në Divjakë, i cili është mbushur me shalqi, vlera luhatet sipas cilësisë nga 70 deri në 100 lekë të vjetra për kg.
Të lidhura
None found
Fermerët thonë se prej tre ditësh po qëndrojnë në treg pa arritur të shesin asnjë kilogram. Sipas tyre, situata bëhet edhe më shqetësuese për prodhimin që ndodhet ende nëpër fusha, pasi temperaturat e larta po e çojnë çdo orë në tej pjekje dhe ai nuk ka më vlerë për treg.
Edhe pikat e grumbullimit, mbi 34 të tilla, po tërheqin sasi shumë të vogla, ndërsa disa prej tyre i kanë mbyllur tashmë dyert. Dyshohet se kompanitë eksportuese të rajonit dhe më gjerë kanë siguruar tregje jashtë Shqipërisë, ku kostot e prodhimit dhe, rrjedhimisht, edhe çmimi janë më të ulëta se në Divjakë.
Situata pritet të rëndohet edhe më tej, pasi dy zona të tjera të mëdha që mbjellin mbi 500 hektarë, zona e imshtës dhe e Tërbufit, kanë nisur të nxjerrin në treg sasitë e para të shalqinit, ndërsa mijëra tonë vijojnë të mbeten ende në fushat e Divjakës.
