Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë më 25-26 qershor në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, që zhvillohet në Gdansk të Polonisë. Në këtë veprimtari do të jenë të pranishëm drejtues shtetesh dhe qeverish, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, të biznesit dhe të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.
Konferenca ka si synim të rrisë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të tërheqë investime për rindërtimin si edhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Diskutimet do të përqendrohen te sektorët më të goditur nga agresioni rus, mes tyre energjia, infrastruktura kritike dhe logjistika, si dhe te forcimi i kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat konsiderohen thelbësore për procesin e rindërtimit.
Të lidhura
None found
Rama do të pritet nga homologu polak Donald Tusk dhe, së bashku me delegacionin që e shoqëron, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së konferencës. Sipas agjendës, ai do të mbajë një fjalë përshëndetëse në sesionin e dytë plenar.
Gjatë qëndrimit në Gdansk, Kryeministri do të zhvillojë disa takime dypalëshe me homologë, si edhe me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos.
Po ashtu, në kuadër të këtij programi, ai do të takohet me drejtues të kompanive ndërkombëtare, mes tyre edhe përfaqësues të sektorit të energjisë dhe investimeve, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për zhvillim.
