Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka reaguar për protestën që prej 25 ditësh po zhvillohet në Tiranë, duke shprehur shqetësim për pasojat që, sipas tij, kjo situatë mund t’i sjellë Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, ai nënvizoi rëndësinë historike që ka pasur Shqipëria për shqiptarët në rajon, sidomos për Kosovën, duke theksuar se vendi ka luajtur një rol kyç në proceset e lirisë dhe të shtetformimit të saj.
Të lidhura
None found
Ahmeti u shpreh se po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Shqipëri dhe vlerësoi se protestat po i japin vendit “dy goditje të forta”, duke veçuar ndikimin që ato mund të kenë te turizmi dhe te klima e investimeve.
Sipas tij, turizmi, që përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, rrezikon të preket nga pasiguria dhe nga imazhi që krijohet jashtë vendit. Ai përmendi gjithashtu edhe pasojat që, sipas tij, protestat mund të sjellin për investitorët vendas dhe të huaj.
“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; po goditen investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri”, deklaroi kreu i BDI-së.
Ai sqaroi se qëndrimi i tij nuk lidhet me mbrojtjen e figurave të caktuara politike, por me interesin e Shqipërisë, duke theksuar se stabiliteti dhe zhvillimi i saj kanë rëndësi për të gjithë shqiptarët.
Në fund, Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve që të vlerësojnë me kujdes pasojat e zhvillimeve politike, ndërsa paralajmëroi se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e shqiptarëve në rajon.
