Hysni Mehani, zëvendësministër dhe përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar publikisht 42 ditë pasi u sulmua fizikisht, duke bërë të ditur se ende nuk ka informacion se cili prokuror apo cila prokurore është ngarkuar me hetimin e çështjes.
Përmes një postimi në Facebook, Mehani tha se, përtej deklaratës së dhënë në polici ditën e ngjarjes dhe dorëzimit të raportit mjekësor pas një telefonate të bërë disa ditë më vonë, nuk ka marrë asnjë njoftim tjetër nga institucionet e drejtësisë.
Të lidhura
None found
Ai riktheu akuzën se personi që e inicioi sulmin ishte Sami Lushtaku, ndërsa shtoi se më vonë ka kuptuar se një prej sulmuesve të tjerë kishte qenë i dënuar më herët për vrasje.
Mehani shprehu kritika ndaj institucioneve për mungesë veprimi, duke theksuar se pret ende të marrë vesh se kush po e heton rastin. Po ashtu, ai nënvizoi se nuk do të zmbrapset nga angazhimi i tij për drejtësi, liri dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Shkrimi i plotë në Facebook:
Të dashur miq,
Sot bëhen 42 ditë nga dita që jam sulmuar. As tash kur po e shkruaj këtë postim nuk e di kush është prokuror a prokurore e rastit! Përveç ditës kur ka ndodhur rasti që kam dhënë një deklaratë te disa policë dhe një thirrje telefonike pas disa ditëve për të dorëzuar raportin e mjekut dhe atë nëse dua; asgjë tjetër!
As tash kur po e shkruaj këtë postim, nuk e di kush janë personat që më kanë sulmuar. E di që njëri nga ta dhe iniciusi i sulmit ishte Sami Lushtaku dhe më vonë kam kuptuar që njëri nga sulmusit tjerë më herët paska qenë i dënuar për vrasje.
Imagjinojeni, një ish i dënuar për vrasje del dhe e sulmon një qytetar, kryen tentim-vrasjen e një qytetari që qëllon të jetë zv-ministër, e sulmon në pikë të ditës dhe atë pa asnjë arsye, dhe prokurori a prokurorja e rastit e liron në procedurë të rregullt dhe deri më sot nuk di për ndonjë masë të marrë.
Të dashur miq, kam qenë i bombarduar me mendime nga më të ndryshmet; veç një përgjigje e kam për të gjitha ato mendime!
Çdo pikë gjaku, djerse e mundi e derdhur për drejtësi, për liri e për mundësi të barabartë për të gjithë nuk është turp e as nuk duhet të na turpërojë, përkundrazi duhet të na shtojë krenarinë.
Turp është të jetosh si puthadorë, si servil e i nënshtruar nga ata që për shoqërues zgjedhin vrasës.
Atë që më njohin e dinë që unë kurrë nuk kam zgjedhur rrugët e lehta, ashtu siç kurrë nuk kam pasur frikë nga rrugët e vështira, qoftë edhe me koston e jetës, kosto që e kam pasur parasysh shumë kohë para se të ndodhte sulmi.
Prokuror a prokurore, kjo është çështja që po pres ta di!
