Dy shtetas shqiptarë janë vënë në ndalim në kuadër të hetimeve për një ngjarje të rëndë që ka tronditur Italinë, pasi një oficer i Policisë Vendore të Milanos humbi jetën gjatë një ndjekjeje me motoçikletë ndaj një automjeti që nuk iu bind urdhrit për t’u ndalur në një pikë kontrolli.
Ngjarja u regjistrua të hënën në mbrëmje, rreth orës 21:30, në Via Vittorini, kur efektivët e Policisë Vendore vunë re një Audi që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë. Sipas hetimeve paraprake, sapo drejtuesit të mjetit iu dha shenjë për kontroll, ai dyshohet se rriti menjëherë shpejtësinë dhe u largua me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar fillimin e ndjekjes policore.
Të lidhura
None found
Në operacion u përfshinë disa efektivë, mes tyre edhe oficeri Francesco Imprezzabile, pjesë e Policisë Vendore të Milanos. Gjatë ndjekjes, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe kolegët kanë humbur kontaktin si me automjetin e dyshuar, ashtu edhe me motoçikletën e efektivit.
Pak çaste më pas, mjeti i shërbimit u gjet i ndalur anës rrugës, ndërsa jo shumë larg vendit të ngjarjes u gjet trupi i pajetë i 39-vjeçarit Francesco Imprezzabile. Sipas autoriteteve, ai kishte pësuar arrest kardiak. Edhe pse ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë, efektivi nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall i vdekur në vend.
Rasti ka vënë në lëvizje një hetim të gjerë nga autoritetet italiane, të cilat po punojnë për të rindërtuar me saktësi çdo moment të ndjekjes. Hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes automjetit në arrati dhe motoçikletës së policisë, apo nëse vdekja është shkaktuar nga një incident gjatë manovrave të ndjekjes.
Për momentin, asnjë pistë nuk përjashtohet dhe janë duke u kryer ekspertiza teknike mbi automjetet e përfshira, ndërsa po shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zona të ndryshme, përfshirë Milano, Peschiera Borromeo dhe Pioltello. Autoritetet besojnë se këto prova do të jenë vendimtare për të zbardhur plotësisht rrethanat.
Dy shqiptarë janë ndaluar nga policia italiane në kuadër të hetimeve dhe po pyeten për të sqaruar rolin e tyre të mundshëm në ngjarje. Prokuroria pritet të vendosë më tej për masat dhe pozicionin e tyre ligjor, në varësi të rezultateve të hetimeve teknike dhe dëshmive të mbledhura.
Ngjarja ka sjellë reagime të forta në radhët e Policisë Vendore të Milanos dhe në institucionet lokale. Kryetari i Bashkisë së Mazara del Vallo ka shprehur ngushëllimet për familjen e efektivit të ndjerë, ndërsa drejtuesit e policisë kanë theksuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet italiane theksojnë se hetimet po vazhdojnë me intensitet dhe se çdo detaj i ndjekjes po shqyrtohet me kujdes për të kuptuar saktësisht çfarë ndodhi gjatë asaj nate tragjike në Milano.
