Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg shpalli sot tre vendime për çështjet që lidhen me ish-prokurorin Gentian Osmani, ish-gjyqtarin Izet Kadana dhe ish-prokurorin Ferdinand Elezi, duke u dhënë të drejtë atyre për shkarkimin nga procesi i vetingut.
Për avokatin Eduard Halimi, kjo ditë përbën një moment historik për drejtësinë në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Halimi njoftoi se Seksioni i Tretë i GJEDNJ-së ka bërë publike vendimet për Osmani, Kadana dhe Elezi.
Sipas tij, Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke arritur në përfundimin se largimi nga detyra i tre magjistratëve nuk ka qenë në përpjesëtim me objektivin e procesit të rivlerësimit kalimtar.
“Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem”, u shpreh Halimi.
Ai përgëzoi tre magjistratët për vendimet, duke nënvizuar se karriera e tyre ishte ndërprerë në mënyrë të padrejtë dhe se tani mbetet që institucionet shqiptare të mbajnë parasysh gjetjet e gjykatës evropiane.
Halimi tha gjithashtu se pritet tashmë që institucionet në Shqipëri të reagojnë, ndërsa veçoi edhe përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e standardeve të vendosura nga Strasburgu.
