Ushtarët që kanë shërbyer për Gjermaninë në misione jashtë vendit nderohen në Ditën e Veteranëve. Por, sipas vetë veteranëve, vëmendja ndaj pasojave personale të këtyre angazhimeve, sidomos problemeve psikologjike, mbetet ende e pamjaftueshme.
Bernhard Drescher thotë se gjatë misionit nuk ka hapësirë për ndjenja. “Në një mision, ti thjesht funksionon, nuk ka vend për emocione”, shprehet ai. 65-vjeçari ka qenë pjesë e Bundeswehrit nga viti 1990 deri në vitin 2014 dhe ka marrë pjesë në disa misione jashtë vendit, në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Sipas tij, atje nuk ke kohë të mendosh gjatë, por vite më vonë ai u përball me sulme paniku.
Të lidhura
None found
Për të, kjo ishte zanafilla e një periudhe të rëndë. Mjekët e Bundeswehrit i thanë se ishte mirë me shëndet. “Në një moment psikiatri më pyeti se si isha, dhe unë shpërtheva në lot dhe as nuk e dija pse.”
Kjo ndodhi në vitin 2008. Më pas, Drescher hyri në një rrugë të gjatë trajtimi, si brenda Bundeswehrit ashtu edhe jashtë tij, në ambulanca, spitale dhe klinika.
“Shpesh është një luftë e vërtetë administrative”
Që prej largimit nga Bundeswehri në vitin 2014, nënkoloneli në pension është angazhuar në shoqatën e veteranëve Bund Deutscher Einsatz Veteranen, ku ndihmon ish-ushtarë që kanë kaluar përvoja të ngjashme me të tijat.
Ai thekson se kur traumat e ish-ushtarëve rishfaqen dhe ata nuk janë më pjesë e Bundeswehrit, marrja e ndihmës së duhur bëhet shpesh e vështirë. Sipas tij, kjo prek veçanërisht ushtarët me kontrata me afat të caktuar.
Ndonëse ekziston mundësia e riregjistrimit për të përfituar nga shërbimet dhe programet e ndihmës të Bundeswehrit, rruga për ta arritur këtë është e ndërlikuar dhe mund të zgjasë shumë. “Shpesh është një luftë e vërtetë administrative që njerëzit duhet ta luftojnë shtesë,” thotë Drescher.
“Ata të pyesin për problemet e fëmijërisë”
Të njëjtën situatë e përshkruan edhe Dunja Neukam. Ajo shërbeu në Bundeswehr si ushtare me kontratë të kufizuar që nga viti 1994, fillimisht në shërbimin mjekësor dhe më pas në punë me një psikolog ushtarak. Gjatë shërbimit aktiv, ajo u dërgua disa herë në misione në Afganistan.
Sot edhe ajo angazhohet vullnetarisht për veteranët. Nga përvoja e saj, procedura është e ndërlikuar: “Pyet veten nëse ajo që të shqetëson është vërtet pasojë e misionit apo ke pasur disa probleme në fëmijërinë tënde.”
Shpesh, ushtarët gjermanë përballen me vështirësi për të siguruar njohje dhe kompensim. Një anketë e vitit të kaluar nga shërbimi publik i medias NDR tregon se 30 përqind e të gjitha kërkesave për njohjen e problemeve të krijuara gjatë shërbimit ushtarak, për shkak të sëmundjeve mendore si çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), refuzohen.
Problemi me rolin e ushtarit
Si Bernhard Drescher ashtu edhe Dunja Neukam pajtohen se Bundeswehri ka bërë hapa të rëndësishëm sa i përket trajtimit të sëmundjeve mendore te ushtarët. Megjithatë, sipas tyre, mbetet problem mënyra si sillen shumë ushtarë dhe komandantë. Drescher shpjegon se imazhi i rolit të ushtarit, sidomos i oficerit, është shumë i ngurtë dhe lidhet fort me idenë e forcës. Sipas tij, duhet të jesh gjithmonë në krye të njësisë, të shërbesh si shembull dhe të kesh zgjidhje të gatshme, ndaj të qenit i sëmurë mendërisht nuk përputhet me këtë model.
Neukam shton se edhe nëse përgatitesh mirë para një misioni dhe kalon nëpër një numër të madh skenarësh të mundshëm, përsëri mund të gjendesh përballë situatave për të cilat nuk mund të jesh i përgatitur.
Gjatë viteve të fundit, veteranët dhe historitë e tyre kanë hyrë gjithnjë e më shumë në fokusin publik. Në vitin 2018, ministrja e atëhershme e Mbrojtjes Ursula von der Leyen përcaktoi për herë të parë se kush konsiderohet veteran në Gjermani.
Përkufizimi në Gjermani është mjaft i gjerë: veteran llogaritet kushdo që ka shërbyer ndonjëherë, përfshirë edhe ish-rekrutët. Sipas vlerësimeve të Bundeswehrit, kjo do të thotë se Gjermania ka rreth dhjetë milionë veteranë.
Që nga viti i kaluar, në Gjermani Dita e Veteranëve shënohet më 15 qershor. Qëllimi i saj është t’u shprehë mirënjohje atyre që kanë qenë në misione për Gjermaninë. Në vitin 2024, Bundestagu e prezantoi këtë ditë me votat e koalicionit qeverisës dhe me mbështetjen e deputetëve të CDU/CSU.
Drescher e sheh këtë si një formë të mirë vlerësimi për ushtarët. Megjithatë, sipas tij, aktualisht pjesa më e madhe e aktiviteteve organizohen ende nga vetë shoqatat. Ai dëshiron që në të ardhmen organizimi të merret përsipër nga qytetet, landet dhe autoritetet federale, ndërsa shoqatat të ftohen të marrin pjesë. “Nuk do të jetë e mundur që ne të planifikojmë vetë ngjarjet tona përgjithmonë. Kjo duhet të ndryshojë.”
Dëshira për informacion më të mirë rreth rreziqeve
Në vitet e ardhshme, Bundeswehri synon të zgjerohet ndjeshëm dhe prej kohësh ka zhvilluar fushata intensive për rekrutimin e personelit të ri. Drescher thotë se gjatë viteve të fundit është vënë theks i madh te mundësitë për arsimim.
Sipas tij, edhe pse nuk është e lehtë të tërhiqet vëmendja me tema si vdekja dhe plagosja, njerëzve duhet t’u thuhet qartë se një ditë mund të jenë ushtarë me çizme të baltosura dhe armë në dorë, pjesë e ushtrisë, duke qëndruar në tokë të huaj për të mbrojtur vlerat tona.
Drescher beson se nëse Bundeswehr dëshiron të tërheqë personel në afatgjatë, duhet të flasë hapur për rreziqet që mbart ky profesion. Për të, kjo është pjesë e detyrës së kujdesit ndaj ushtarëve.
Pas përvojave të saj në misionet jashtë vendit dhe kontakteve me ushtarë të traumatizuar, Dunja Neukam ka edhe një mesazh për politikën: “Kur merret një vendim për misionin e ardhshëm të huaj, do të doja që politikanët të mendonin me kujdes nëse ky mision mund të arrijë diçka në planin afatgjatë, nëse kemi burimet dhe personelin për të – dhe a mund të kujdesemi në mënyrë të mjaftueshme për njerëzit tanë më pas?” /DW
