Një zjarr i përmasave të mëdha në një ndërtesë tregtare në qytetin Lucknow, në shtetin Uttar Pradesh të Indisë, u ka marrë jetën të paktën 15 personave.
Sipas të dhënave nga autoritetet, flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit në një godinë ku në katet e poshtme ndodheshin një dyqan kafshësh shtëpiake dhe një klinikë veterinare, ndërsa në pjesën e sipërme të saj funksiononin një qendër studentore dhe një studio animacioni.
Të lidhura
None found
Zëvendëskryeministri i Uttar Pradesh, Brajesh Pathak, bëri të ditur se nga ndërtesa janë nxjerrë të paktën 15 viktima, ndërsa rreth 10 persona të tjerë janë shpëtuar dhe dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Në pamjet që janë shpërndarë në rrjetet sociale shihen skena paniku, teksa disa njerëz përpiqeshin të largoheshin duke dalë nga dritaret e thyera. Një person ra nga një kat i sipërm gjatë përpjekjes për të shpëtuar, por sipas raportimeve ka mbijetuar dhe ndodhet në spital nën trajtim.
Operacioni i shpëtimit u vështirësua ndjeshëm nga tymi i dendur, çka i detyroi zjarrfikësit të çanin një mur të pasmë për të hyrë në godinë dhe për të vazhduar ndërhyrjen.
Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
