Kur dikush shmang përgjegjësinë, debati shpesh kthehet në një përpjekje për kontroll dhe zhvendosje faji
Një marrëdhënie e shëndetshme duhet t’ju japë ndjesinë e sigurisë, respektit dhe mbështetjes. Megjithatë, kur përballë keni një person që nuk arrin të reflektojë mbi sjelljen e vet, një debat mund të bëhet shumë shpejt rraskapitës, i paqartë dhe emocionalisht i rëndë.
Të lidhura
None found
Personat me pak vetëdije për veten zakonisht e kanë të vështirë të mbajnë përgjegjësi, të dëgjojnë tjetrin dhe ta shohin situatën në një kënd më të gjerë. Në vend që të përpiqen të kuptojnë thelbin e problemit, ata mund ta devijojnë bisedën, të futen menjëherë në mbrojtje ose t’ju bëjnë ju të ndiheni fajtorë.
Në pamje të parë, mund të duken të qetë, racionalë apo edhe bindës. Por sapo nis përplasja, bëhet e dukshme sa e vështirë është të zhvillosh me ta një bisedë të ndershme dhe të barabartë.
Këto janë disa nga sjelljet më të zakonshme që shfaqin gjatë konfliktit njerëzit me shumë pak vetëdije për veten, transmeton Telegrafi.
1. E vendosin veten në rolin e viktimës, edhe kur nuk janë
Një nga shenjat më të lodhshme është prirja për ta paraqitur veten si të dëmtuar, edhe kur rrethanat nuk e justifikojnë këtë. Në vend që t’i kushtojnë vëmendje përvojës suaj, ata e zhvendosin qendrën e bisedës te vetja.
Për shembull, mund ta zvogëlojnë dhimbjen, mundin ose përjetimin tuaj duke thënë se edhe ata “e dinë shumë mirë si është”, ndonëse situata reale është krejt tjetër. Kështu, jo vetëm që nuk ju dëgjojnë, por marrin për vete të gjithë hapësirën emocionale të bisedës.
Në vend që të thonë: “E kuptoj që kjo të ka lënduar”, mund të përgjigjen me: “Po edhe unë kam vuajtur”, duke e larguar vëmendjen nga problemi kryesor.
2. Kalojnë shumë shpejt nga qetësia te sulmi
Gjatë debatit, një person që nuk ka vetëdije të mjaftueshme për sjelljen e vet mund të ndryshojë menjëherë tonin, duke kaluar nga qetësia në sulm personal. Në një çast mund të duket i arsyeshëm, ndërsa në tjetrin të bëhet i ashpër, fyes apo akuzues.
Mund të kërkojë falje dhe menjëherë më pas të rikthehet te sulmi. Për disa sekonda mund t’ju flasë me butësi, pastaj ta përdorë të njëjtën bisedë për t’ju ngarkuar me faj.
Kjo ndodh sepse synimi i tij nuk është domosdoshmërisht zgjidhja e problemit, por kontrolli mbi mënyrën se si po paraqitet ngjarja. Ai kërkon të dalë mirë në fund të debatit, edhe nëse kjo nënkupton shtrembërim faktesh ose ndryshim qëndrimi nga një moment në tjetrin.
3. Ju flasin me përçmim dhe ju vendosin poshtë
Një tjetër sjellje e shpeshtë është përdorimi i një toni përçmues. Këta njerëz shpesh përpiqen të ruajnë një pamje të qetë dhe të kontrolluar, por pikërisht atë qetësi e përdorin për t’ju folur nga lart.
Mund të thonë fjali si: “Ti nuk e kupton”, “Po e dramatizon”, “Je shumë i/e ndjeshëm/e” ose “Nuk ia vlen të flas me ty kur je kështu”.
Shprehje të tilla nuk ndihmojnë aspak në zgjidhjen e konfliktit. Përkundrazi, e bëjnë tjetrin të ndihet i nënvlerësuar dhe i poshtëruar. Në vend që debati të shërbejë për mirëkuptim, ai shndërrohet në një garë për epërsi.
Kur dikush ju drejtohet me përçmim, shpesh qëllimi nuk është të kuptojë çfarë ka ndodhur, por të vendosë veten në rolin e personit “më të arsyeshëm”, ndërsa ju në rolin e atij “më problematik”.
4. Nuk thonë kurrë se kanë gabuar
Personat që nuk kanë vetëdije për mënyrën si sillen e kanë tepër të vështirë të pranojnë: “Kam gabuar” ose “Më vjen keq që të lëndova”. Edhe kur faktet janë të qarta, ata gjejnë mënyra për ta zhvendosur fajin diku tjetër.
Nëse gabojnë, mund të thonë se janë provokuar. Nëse ju lëndojnë, mund të pretendojnë se ju i keni keqkuptuar. Nëse sillen padrejtësisht, mund të arsyetohen se kishin motive të forta.
Në këtë mënyrë, përgjegjësia nuk mbetet asnjëherë te ta. Fajtori është gjithmonë dikush tjetër: ju, rrethanat, stresi, e kaluara ose “mënyra si e thatë”.
Në një marrëdhënie të shëndetshme, pranimi i gabimeve është pjesë e rritjes. Por për njerëzit që nuk arrijnë ta shohin veten me ndershmëri, çdo gabim përjetohet si një kërcënim për egon.
5. Ju ngarkojnë me problemet që i kanë vetë
Në debatet më të forta, këta persona shpesh ju akuzojnë pikërisht për ato sjellje që i shfaqin vetë. Nëse ata tregohen të ashpër, mund t’ju thonë juve se jeni agresivë. Nëse po manipulojnë, mund t’ju akuzojnë ju për manipulim. Nëse nuk po dëgjojnë, mund të pretendojnë se jeni ju ata që nuk po i kuptoni.
Kjo njihet si projektim: kur dikush ia vesh tjetrit ndjenjat, frikën ose sjelljet që nuk dëshiron t’i pranojë te vetja.
Të debatoni me një person që projekton vazhdimisht është shumë rraskapitëse, sepse ju detyroheni të mbroheni nga akuza që nuk ju përkasin. Në vend që biseda të përqendrohet te problemi real, ajo kthehet në një betejë për të vërtetuar se nuk jeni “i çmendur”, “i padrejtë” apo “fajtori”.
Çfarë duhet të mbani mend
Jo çdo njeri që sillet keq në debat është medoemos manipulues apo i pandryshueshëm. Të gjithë mund të kemi momente kur mbrohemi më shumë seç duhet, flasim keq ose nuk e pranojmë menjëherë gabimin.
Por nëse këto sjellje përsëriten vazhdimisht, nëse çdo debat ju lë të rraskapitur, të hutuar dhe me ndjesinë se po mbani mbi vete gjithë fajin, atëherë është e rëndësishme të vendosni kufij.
Në një debat të shëndetshëm, të dyja palët duhet të kenë mundësi të flasin, të dëgjohen dhe të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë. Kur një person nuk e bën asnjëherë këtë, problemi nuk qëndron vetëm te debati, por te mënyra se si ai e sheh veten, ju dhe marrëdhënien.
Në fund, mbani parasysh: nuk është e nevojshme ta fitoni çdo debat. Nganjëherë, zgjedhja më e shëndetshme është të mos hyni në lojën e një personi që nuk kërkon mirëkuptim, por vetëm kontroll mbi versionin e vet të së vërtetës.
