Ish-ministri i Jashtëm ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke mbrojtur qytetarët e revoltuar dhe duke hedhur poshtë pretendimet se protestat apo reagimet publike janë të nxitura nga faktorë të jashtëm.
Në deklaratën e tij, ish-kryediplomati thekson se qytetarët nuk janë “të nxitur nga Irani”, as nga algoritmet dhe aq më pak të paqartë në qëllimet e tyre. Sipas tij, ata janë shqiptarë të revoltuar nga mënyra se si po trajtohet vendi.
Të lidhura
None found
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë”, shkruan ai.
Ish-ministri nënvizon se qytetarët janë të vetëdijshëm për pasojat që ka sjellë, sipas tij, aleanca mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Ai e cilëson këtë aleancë si të dëmshme për Shqipërinë dhe për të ardhmen e vendit.
Në reagimin e tij, ai shton se qytetarët që ngrihen sot nuk kërkojnë kaos, por më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë.
“Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë”, vijon deklarata.
Ish-ministri e lidh këtë moment me idenë e një “Shqipërie të Re”, të cilën e përshkruan jo thjesht si aspiratë, por si një kapitull të pashmangshëm që vendi duhet ta përqafojë.
Sipas tij, çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria ka nevojë për një reflektim të thellë, për më shumë urtësi dhe përgjegjësi politike e shoqërore.
“Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i tij, i shoqëruar me hashtagun: #Shqipëriameritonmëshumë.
