Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dalë kundër propozimit aktual për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Europian për periudhën 2028–2034, duke e cilësuar atë si të papërballueshëm dhe të paekuilibruar. Në këtë qëndrim, Gjermania mbështetet edhe nga Holanda, një tjetër kontribuuese e madhe neto në buxhetin e BE-së.
Komisioni Europian ka hedhur në tryezë një plan buxhetor me vlerë mbi 1.6 trilionë euro për shtatë vitet e ardhshme. Projektplani përqendrohet në tre drejtime kryesore: bujqësinë dhe zhvillimin rajonal, rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike, si edhe politikat e jashtme dhe të sigurisë.
Të lidhura
None found
Sipas Merz, ky projekt-buxhet nuk është i pranueshëm në formën aktuale.
“Ajo çfarë është propozuar deri tani nuk është e realizueshme. Nuk mund të përballohet. Megjithatë, negociatat për buxhetin duhet të përparojnë më shpejt. Dua që të arrijmë një vendim këtë vit”, tha Merz.
Deklarata e tij nxori në pah përplasjet mes 27 vendeve anëtare për planin shtatëvjeçar të financimit. Gjermania mbetet kontribuuesja më e madhe neto në Bashkimin Europian.
Ndërkohë, edhe disa shtete të tjera anëtare po synojnë mbylljen e negociatave deri në fund të vitit, edhe pse ky afat konsiderohet mjaft optimist. Irlanda, e cila po merr presidencën e Këshillit të BE-së, pritet të paraqesë një variant të ri kompromisi.
