Gadi Eisenkot, me origjinë marokene, ka përjetuar humbje të rënda familjare në Gaza, ku ka humbur një djalë dhe një nip. Sipas Corriere della Sera, ndryshe nga Benjamin Netanyahu, ai e ka vështrimin edhe te e ardhmja, dhe pikërisht kjo qasje po fiton mbështetje.
Në skenën politike izraelite, kryeministri duket se tashmë ka përballë një kundërshtar serioz: ish-gjenerali Eisenkot renditet i pari në sondazhe. Te varri i djalit të tij, rreshterit Gal Meir Eisenkot, i cili u vra në një pritë në Gaza në dhjetorin e vitit 2023, 66-vjeçari bëri një zotim: “Sakrifica jote dhe e të tjerëve nuk do të ketë qenë e kotë, do të bëjmë gjithçka për të qenë të denjë për ju.”
Të lidhura
None found
Një tjetër goditje për familjen e tij ishte vdekja e nipit, Maor Cohen Eisenkot, vetëm 19 vjeç, i cili shërbente si ushtar në këtë territor.
Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite nuk e kufizon vëmendjen vetëm te “fitorja” ushtarake, që për qeverinë nënkupton eliminimin e Hamasit nga Rripi i Gazës, Hezbollah-ut nga Libani dhe ajatollahëve nga Irani. Në dallim nga Benjamin Netanyahu, ai po mendon edhe për atë që do të vijë “pas luftës”, theksohet në shkrim.
Ndonëse është një emër i ri në politikë, ish-gjenerali ka arritur ta ngjisë partinë e tij Yashar në krye të sondazheve. Për herë të parë, ajo ka barazuar Likud-in e Netanyahut dhe ka lënë pas aleancën e Naftali Bennett me Yair Lapid, e cila deri dje shihej si forca që mund ta largonte Bibi-n nga pushteti pas gati dy dekadash.
Kështu, në vend të tyre, ky ish-gjeneral, që nga 66 vitet e jetës së tij ka kaluar 44 me uniformë, konsiderohet sot rivali kryesor i kreut të ekzekutivit izraelit.
Në një vend të ndarë thellë nga pesha e figurës së Netanyahut, i lodhur nga doktrina e tij e “luftës së përhershme” dhe i irrituar nga radikalizmi i së djathtës, Eisenkot shihet si një alternativë. Sipas ekspertëve, për shumë izraelitë ai përfaqëson figurën e një njeriu “normal”.
Madje kanë nisur edhe krahasimet me Yitzhak Rabin, kryeministrin e vrarë në vitin 1995, megjithëse për momentin Eisenkot nuk duket i gatshëm të rikthejë procesin e paqes me palestinezët.
