Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se nesër do të rivarroset Dëshmori Hajdar Pepaj, i cili figuron në Listën e Personave të Zhdukur.
Sipas njoftimit të këtij komisioni, pas identifikimit të kryer përmes analizës shkencore të ADN-së dhe në përputhje me kërkesën e familjes, më 21 qershor 2026 do të zhvillohet rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit Hajdar Pepaj.
Të lidhura
None found
Homazhet do të mbahen fillimisht më 21 qershor 2026 nga ora 15:00 te ‘Lapidari i Ri’ në fshatin Kodrali të Deçanit, ndërsa ceremonia e rivarrimit është paraparë të nisë nga ora 16:00 në varrezat e fshatit Kodrali.
Organizimin e ceremonisë së rivarrimit e bëjnë Shoqatat e dala nga lufta – Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Po ashtu, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i ka shprehur familjes Pepaj ngushëllimet më të sinqerta, teksa ka ritheksuar përkushtimin institucional për të vazhduar angazhimin në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
