Një valë e re intensive e të nxehtit ka përfshirë Francën, ndërsa shërbimet meteorologjike kanë zgjeruar alarmin portokalli në 53 departamente administrative në mbarë vendin.
Parashikimet tregojnë se në ditët e ardhshme temperaturat do të vijojnë të rriten, duke prekur një pjesë të gjerë të territorit francez.
Të lidhura
None found
Kjo është vala e dytë e të nxehtit e regjistruar në Francë gjatë këtij viti dhe po avancon nga jugperëndimi në drejtim të verilindjes. Në shumë rajone temperaturat kanë shkuar tashmë në 34 deri në 36 gradë Celsius, ndërsa në Rivierën Franceze dhe në Korsikë pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Edhe rajoni i Parisit pritet të përjetojë temperatura 36-37 gradë, shumë pranë rekordeve historike të muajit qershor.
Meteorologët bëjnë të ditur se, pas një uljeje të lehtë të temperaturave në disa zona veriore gjatë fundjavës, nga e diela parashikohet një tjetër valë nxehtësie që do të shtrihet pothuajse në të gjithë vendin. Në disa pjesë të Francës perëndimore dhe qendrore, temperaturat mund të ngjiten deri në 40 gradë Celsius.
Nxehtësia e lartë ka nisur të japë ndikim edhe mbi infrastrukturën. Kompania franceze e hekurudhave ka anuluar disa shërbime, ndërsa kompania shtetërore e energjisë ka paralajmëruar se disa centrale bërthamore mund të detyrohen të reduktojnë prodhimin për shkak të temperaturave të larta të ujit në lumenj. Po ashtu, disa bashki kanë vendosur të anulojnë aktivitete publike dhe koncerte në ambiente të hapura për arsye sigurie.
Gjendje e vështirë paraqitet edhe në vende të tjera të Europës. Në Britaninë e Madhe temperaturat mund të ngjiten deri në 34 gradë Celsius, me mundësi për të thyer rekordin historik të muajit qershor. Spanja ka shpallur paralajmërime për nxehtësi ekstreme në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në Zvicër dhe Gjermani autoritetet kanë aktivizuar nivele të larta alarmi për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga stuhitë.
Edhe Europa Qendrore, përfshirë Austrinë, Hungarinë dhe Sllovakinë, pritet të përballet me një javë me temperatura shumë të larta. Sipas ekspertëve të klimës, ky episod lidhet me efektet e ndryshimeve klimatike, duke theksuar se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Studimet më të fundit shkencore tregojnë se çdo vit në Europë më shumë se 60 mijë persona humbin jetën si pasojë e temperaturave ekstreme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kjo dukuri pritet të përkeqësohet në vitet që vijnë.
